Shi Xhinping nis vizitën në Serbi në 25-vjetorin e bombardimit të ambasadës kineze

Presidenti i Kinës, Shi Xhinping (o. Xi Jinping), nis të martën vizitën dyditore në Serbi, ndalesa e dytë e turit të tij europian.
Vizita vjen teksa më 7 maj, Serbia kujton 25-vjetorin e bombardimit të ambasadës kineze nga NATO – kur mbetën të vrarë tre shtetas të Kinës – në vazhdën e operacionit për të ndalur ndërhyrjen luftarake të vendit në Kosovë.
“Besoj se vizita do të jetë në interesin e qytetarëve kinezë dhe serbë,” deklaroi kreu i shtetit serb, Aleksandar Vuçiq (o. Vucic), për mediet kineze.
Në qendër të bisedimeve pritet të jenë zhvillimet globale, por edhe problemet lokale. Gjashtë muaj më parë dy vendet firmosën edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, e cila do të hyjë në fuqi më 1 korrik.
Gjatë vizitës dyditore, presidenti Shi do të shoqërohet nga një delegacion prej 400 pjesëtarësh.
Kryeshtetari i Kinës vjen në Serbi pasi më herët takoi presidentin Emanuel Makron në Francë dhe do e mbyllë në Hungari turin e tij të parë europian në këto pesë vite. /AP, RTS
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




