Shkrirja e borës rrit nivelin e liqenit të Fierzës, 7 metër larg kuotës maksimale

Sociale | 3 vite më parë

Ndonëse reshjet e shiut dhe borës kanë pushuar, kjo ka shtuar intensitetin e prurjeve në liqenin e Fierzës duke ndikuar në përmirësimin e situatës hidrike në vend.

Vetëm ditët e fundit edhe prurjet e lumenjve në hidrocentralin e Fierzës kanë ndikuar në rritjen e nivelit të liqenit.

Ky nivel duket shenjë e mirë për KESH-in për sigurimin e rezervës ujore. Aktualisht hidrocentrali i Fierzës po punon me 2 turbina.

Nga ana tjetër ndotja e liqenit të Fierzës është një problem që haset prej kohësh.

Prurjet e shumta kanë sjellë me vete edhe tonelata mbeturinash që kanë mbushur sipërfaqen e liqenit.
Situata të tilla përsëriten sa herë që ka rënie apo ngritje të nivelit të ujit në liqenin e Fierzës.

Pas vlerësimit të situatës dhe pas një studimi thuajse 7 vjeçar, Kukësi dhe Gjirokastra janë dy qarqet përfituese për ndërtimin e landfilleve rajonale, të cilat do t’i japin zgjidhje këtij problemi.

Projekti në fjalë do të ndërtohet në Përbreg të njësisë administrative Tërthore, me një kapacitet prej 250 mijë metër kubësh e një jetëgjatësi 25 vjeçare.

Në ndihmë të tij do të jenë dy stacione transferimi në Has e Tropojë.

Puna për ndërtimin e landfillit do të nisë pranverën e vitit të ardhshëm e zbatohet përmes agjensisë franceze të zhvillimit.

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme