Turi prezantues i Tiranës- Ergys Xhikola, një prej guidave që ofron këtë shërbim prej 10 vitesh

Pak kush prej atyre që jetojnë në Tiranë e dinë se në kryeqytet mund të bësh pa pagesë një tur prezantues përreth qendrës.
Ky koncept i njohur në vende të tjera të botës, prej 10 vitesh praktikohet edhe në Tiranë dhe preferohet nga vizitorët e huaj.
Ergys Xhikola është një prej guidave turistike që ofron këtë shërbim.
“E ofrojmë çdo ditë si shërbim pa pasur nevojë të regjistrohesh apo të bësh prenotim. Të huajt e vlerësojnë. Nga ana financiare është shumë shpërblyese, por ka edhe kënaqësi pasi po prezanton shtetin tënd”, tha ai..
10 vite më parë turizmi në kryeqytet nuk ishte në nivelet që është sot. Ergysi tregon për transformimin që pësoi vit pas viti.
“Turet e para ishin me 1 apo me 2 persona, pas 2019-tën filloi ai bumi i madh, pra me të paktën 10 persona”shtoi ai.
Turi nis në Sheshin “Skendërbej”, te Pazari i Ri, te Piramida e deri në zonën e ish Bllokut, duke u ndalur në disa atraksione, përfshi edhe ato që lidhen me periudhën e komunizmit si Bunkart 2 apo Shtëpia e Gjetheve. Ergysi tregon se çfarë preferojnë më shumë turistët.
Me një bachelor në histori, një master në Trashëgimi Kulturore, një master profesional si Guidë Turistike dhe shumë trajnime, Ergysi nuk është aspak rastësor në këtë profesion. Ai e sheh me optimizëm edhe zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
“Turizmi po rritet shumë, po ashtu edhe kompania jonë po ashtu“, tha ai.
Kompania, ku Ergysi punon e nisi këtë punë me turin prezantues në Tiranë, ndërsa tani ofron edhe ture ditore apo disaditore në të gjithë Shqipërinë.
Gazetare: Albana Agolli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




