Korçë, fushatë për promovimin e shërbimit të familjeve kujdestare për fëmijët në nevojë

Çdo fëmijë duhet të rritet në një familje të qëndrueshme. Për të siguruar këtë është duke u punuar për të patur forma të ndryshme të kujdesit alternativ.
Një prej tyre është edhe shërbimi i familjes kujdestare, që ka të bëjë me familje të cilat shprehin gatishmërinë për tu kujdesur për fëmijë të cilët janë në vështirësi në familjet e tyre biologjike.
Drejtoresha e Drejtorisë së Kujdesit Social, Marjana Jorgji u shpreh se aktualisht në qytetin e Korçës është një familje kujdestare vullnetare e cila është ende në proces për të fituar këtë status.
Sipas Jorgjit strukturat përgjegjëse janë duke promovuar më tej këtë shërbim mjaft të nevojshëm për kujdesin social të fëmijëve që kanë nevojë.
“Thirrja jonë është që të kemi sa më shumë familje kujdestare për t’u dhënë mundësi fëmijëve për të mos qëndruar në institucione. Patjetër që mund të interesohen dhe mund të marrin informacion për kriteret që i bën një familje të mundshme kujdestare tek shërbimi mbështetës për familjen dhe fëmijën pranë bashkisë Korçë”, tha Jorgji.
Ky është një projekt pilot që po zbatohet prej gati 3 vitesh në Bashkinë e Korçës dhe atë të Vlorës, financuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
RTSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




