Të mësosh qëndisjen, nismë për përcjelljen e traditës te brezi i ri

Janë një grup vajzash të shkollës 9- vjeçare, “Xhuzepe Gras”, të cilat kanë shprehur dëshirën për të mësuar të qëndisin. Ato janë bërë pjesë e nismës së ndërmarrë nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër për vazhdimësinë e një prej traditave për të cilën është shquar ky qytet.
E nisin këtë rrugëtim me shpresën se nesër me duart e tyre do të arrijnë të realizojnë punime të bukura sikurse nënat e gjyshet e tyre.
Është mjeshtrja e qëndisjes së kostumeve popullore Eli Zhulati që do t’i udhëheqë vajzat në këtë eksperiencë të re dhe interesante. Për të është kënaqësi të punojë me të rejat ose siç ndryshe shprehet ajo me brezin që i mungon traditës.
“Vajzat do bëjnë punime të vogla që edhe të vetë të kënaqën dhe të vlerësuar si nga ne ashtu edhe nga familjarët. Pse jo këto të jenë prurjet e para për suvenir artizanal nga kjo grupmoshë, ndoshta në një nga dyqanet e Gjirokastrës”, shprehet Zhulati.
Në orën e parë ne i gjetëm në shtëpinë e shkrimtarit, Ismail Kadare, por në vijimësi programi do të realizohet në banesa të ndryshme karakteristike të Gjirokastrës. Sipas drejtuesve të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore kjo nismë synohet të shtrihet në të gjitha shkollat.
Gazetare: Y.Ponde
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




