Ndërtimi i molit në urën e Bunës, investimi pritet të ndikojë në zhvillimin e turizmit në Shkodër

Punimet për ndërtimin e molit tek ura e vjetër e Bunës po vijon me ritme të shpejta. Ky investim pritet të ketë impakt të dukshëm jo vetëm në lundrimin e Bunës dhe liqenit të Shkodrës por edhe në turizëm.
Aktualisht po punohet në ndërtimin e mureve ku parashikohet që të ankorohen edhe mjetet e vogla lundruese, ndërsa një investim të tillë e vlerësojnë edhe qytetarët.
“Investim i domosdoshëm, shumë mirë që po bëhet, po zbatohet projekti dhe duket shumë bukur. Investimet sjellin turizmin, zhvillimin”, shprehet qytetarët.
Në lidhje me punimet që po realizohen inxhinieri i këtij kantieri, Elvedin Hyseni dha më shumë detaje.
“Për momentin jemi tek faza ku po punohet në ndërtimin e mureve të molit, faza e dytë do të jetë vendosja e platformës së aluminit e cila lëviz me nivelin e ujit. Kemi pasur pak problematika pasi ka lëvizje të nivelit të ujit në mënyrë të papritur, por për momentin jemi mirë dhe po ecim me ritme të shpejta”, u shpreh Hyseni.
Pjesë e rikualifikimit të molit është edhe rikonstruksioni i ujësjellësit të Zogajve.
Finanacues i këtij projekti është Qeveria Shqiptare ndërsa po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ky investim, që kap vlerën e rreth 1.2 milion eurove, pritet të ndikojë në zhvillimin e turizmit në Shkodër.
Gazetar: L. Kadija
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




