Manastirliu: Këtë vit përfundojmë 100 shkolla

“Këtë vit do të përfundojnë 100 objekte shkollore, të cilat ne i kemi nisur si projekte dhe do t’i vendosim në dispozocin të mësuesve dhe nxënësve tanë brenda këtij viti.” Deklarata u bë nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, gjatë përurimit të shkollës së mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” në Tiranë.
Shkolla e njohur është rindërtuar me standardet më të mira, me mbështetjen e programit EU4Schools, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP.
Shkolla “Asim Vokshi” është ndërtuar si një institucion model arsimor, i pajisur me infrastrukturë të avancuar dhe teknologji të fundit. Ajo do të ofrojë një mjedis inovativ arsimor për 750 nxënës, duke u fokusuar në mësimin e gjuhëve të huaja dhe aftësitë në fushën e IT-së. Kjo shkollë ka për qëllim përgatitjen e nxënësve jo vetëm për tregun e punës në Shqipëri por edhe atë ndërkombëtar, duke i pajisur ata me njohuri dhe aftësi të nevojshme për të qenë konkurrues në një treg global.
Krahas investimeve në infrastrukturën arsimore, Ministrja e Arsimit dhe Sportit tha se fokusi dhe vëmendja më e madhe është në modernizimin e kurrikulave shkollore, si dhe në mbështetjen profesionale për mësuesit. Kjo përfshin rritjen e pagave dhe ofrimin e më shumë garancive për zhvillimin e tyre profesional, me synimin që të përgatisin nxënësit, jo vetëm për sfidat e tregut vendas, por edhe atë ndërkombëtar.
“Ne kemi një plan për të ridimensionuar dhe modernizuar kurrikulën e shkollës, ku në fokus do të jenë edhe shkollat me orientim gjuhësor, me orientim artistik, shkollat në orientim sportiv, por gjithashtu edhe burimet njerëzore” tha zonja Manastirli.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu foli edhe për hapjen e Kolegjit të Evropës, Kampusit të Tiranës.
“Me masterplanin që po përgatisim, do të kemi një projekt fantastik gjithashtu për Kolegjin Evropës, i cili ne duam, dhe së bashku po punojmë, që të kemi akoma më shumë kapacitete pritëse, për të pasur edhe më shumë të rinj. Dhe imagjinoni tani dhe këtu duhet t’ju drejtohem ju nxënësve por sidomos mësuesve se çfarë përgjegjësie keni, sepse nxënësit tuaj janë ata që do të jenë diplomatët nesër, nxënësit tuaj janë ata të cilët do të tregojnë vlerat e vendit tonë, Shqipërisë, sepse edhe me turizmin që po rritet me nevojën që ne kemi për t’i treguar vlerat e kombit tonë ne na duhen poliglotët, por nga ana tjetër ju si nxënës keni shumë mundësi dhe shkolla duhet ta japë dhe ta ofrojë këtë potencial të jashtëzakonshëm.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




