Në mars nisin trajnimet, pagat sipas meritës për mësuesit

Sociale | 3 vite më parë

Të gjithë mësuesit në vend do t’i nënshtrohen nga muaji mars Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional. Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsim ka bërë gati planifikimin për trajnimin e mbi 16 mijë mësuesve.

Drejtori i kësaj Agjencie, Gerti Janaqi sqaron se për zbatimin e këtij programi kombëtar për mësuesit do të angazhohen stafet e universiteteve.

“Kemi menduar të ridimensionojmë mënyrën se si kryhet trajnimi i mësuesve në disa komponentë kryesor. I pari është përafrimi i metodave  dhe teknologjisë në trajnimin e mësuesve dhe komponenti i dytë ka të bëjë në investimin në shkenca. Trajnimi do të shoqërohet me 2 momente kryesore: Procesi i vlerësimit të gjatë të procesit të trajnimit dhe momenti tjetër është ai i vlerësimit të performancës së mësuesve ne shkollë”, u shpreh Janaqi.

Trajnimi do të zgjasë nga 9-25 ditë për çdo mësimdhënës dhe fokusi do të jetë thellimi i njohurive mbi lëndët e gjuhës shqipe, matematikës, diturisë së natyrës dhe aftësitë digjitale.

Ministria e Arsimit ka njoftuar se do të reformohet sistemi i pagave në arsimin, ku përveç pagës mesatare 950 euro që pritet të rritet, mësuesit do kenë mundësi të paguhen edhe në bazë të meritës.

Për këtë ka nisur edhe krijimi i portofolit dixhital të mësuesit, ku do të shënohen të gjitha vlerësimet e trajnimeve të ndryshme si edhe monitorimi i performancës në shkolla.

Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të mësuesve do të zgjasë për 2 vjet dhe nëpërmjet tij parashikon të trajnohen mbi 16 mijë mësues.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme