101-vjetori i Shërbimit Pyjor, Veliaj: Praktika mësimore për studentët e Bujqësorit në Kopshtin Botanik

Me rastin e 101-vjetorit të themelimit të institucionit të Shërbimit Pyjor, në zonën e Shëngjergjit në kryeqytet u mbollën 10 mijë fidanëve akacie në një sipërfaqe prej 4 ha. Krahas stafit të Shërbimit pyjor dhe studentëve të Universitetit Bujqësor, aksionit iu bashkuan sot dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Drejori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, Artur Kala, si dhe drejtues të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Veliaj u shpreh se është detyrë e shoqërisë që t’i kthejë natyrës një detyrim që do të shërbejë dhe për brezat e ardhshëm.
“Të shikojmë veten si shoqëri dhe të kuptojmë që i kemi bërë natyrës atë që nuk i bëhet hasmit. I kemi prerë vetë pyjet, i kemi rrënuar lumenjtë, i kemi gërryer kodrat. Në këtë sens, po ne vetë do duhet t’i kthejmë natyrës, vendit, shoqërisë, atdheut këtë borxh”, tha Veliaj.
Veliaj komentoi dhe nismën e Bashkisë Tiranës për mbjelljen e pemëve të reja, duke sjellë një ndryshim në mentalitet. Ai tha se studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilët do të kenë mundësi që të kryejnë praktikat mësimore në Kopshtin Botanik.
“Më vjen mirë që, jo vetëm ne si Bashki e Tiranës, që jemi punëdhënësi më i madh për studentët që mbarojnë degë të tilla, por duhet të inkurajojmë çdo bashki. Ne nuk duhet të kemi një histori suksesi. Ne duhet të jemi të gjithë një histori suksesi. Ndaj, më vjen mirë që do fillojmë punën së bashku edhe për Kopshtin Botanik”, tha ai.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vlerësoi se dita e sotme është një tjetër provë se Bashkia e Tiranës ka krijuar modelin më të mirë në nivel të njësisë së qeverisjes vendore të administrimit të pyjeve.
Data 27 Janar e vitit 1923 është dita e dekretimit të Ligjit të parë shqiptar “Për pylltarinë shqiptare” dhe sot përkujtohet si Dita e Shërbimit Pyjor Shqiptar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




