Eugena Tomini: Fëmijët bëjnë pjesë në grup risku, vaksinimi mënyra më e mirë për tu mbrojtur

Sociale | 3 vite më parë

ISHP ka konfirmuar praninë e rasteve të para me fruth në Shqipëri. Të infektuarit janë fëmijë të moshës 1-9 vjeç. 6 prej tyre kanë lidhje familjare  dhe janë të pa vaksinuar.

Rastet janë konfirmuar në qytetin e Tiranës dhe të Durrësit dhe pas ofrimit të ndihmës së parë në spital, fëmijët janë larguar në shtëpitë e tyre ku dhe po marrin mjekimin e rekomanduar.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rastet e fruthit në Evropë u rriten 30-fish vitin e kaluar. OBSH paralajmëron se rastet janë ende në rritje dhe nevojiten masa urgjente për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

Për të folur mbi këtë temë e ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare”,  drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Eugena Tomini u shpreh se fruthi është një sëmundje respiratorë dhe si e tillë mund të përhapet nga spërklat, teshtima apo kollitja.

“Fruthi ka një transmetueshmëri të lartë që do të thotë sa më pranë të jemi me njëri tjetrin dhe jemi të pa vaksinuar por edhe sikur të jemi të vaksinuar nëse kemi një subjekt me virulencë të lartë sigurisht që ka gjasa që mund të prekemi.

Sepse 12 raste i kemi me lidhje familjare që do të thotë një gjashtce e parë pas treshes së parë të konfirmuar kanë qenë në një darkë familjare në shtëpinë e njëri tjetrit. Më pas treshja që ishte kontakti i treshes së parë të konfirmuar bëhet bashkëjetues në një ambient shtëpie me 3 fëmijë të tjerë dhe ka shkuar zinxhiri i kontaminimit goxha i lartë ndërkohë që është një sëmundje respiratorë që transmetohet nëpërmjet spërklave, teshtitjes, kollitjes.

Kështu një fëmijë i vogël loz me lodrat e fëmijës tjetër sigurisht që gjate kollitjes dhe teshtimës në një kontingjent i një grup risku i cili është i pa vaksinuar sigurisht që është tendenca për të transmetuar sëmundjen dhe shtohet numri i rasteve.

Duhet thënë se ka një ndërgjegjësim të mësuesit e sistemit parashkollor dhe në të tilla raste izolimi është i domosdoshëm. Këshilla me mjekun e familjes, mjekun e konsultorët pediatër është domosdoshmëri absolute”, u shpreh Tomini.  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme