Shqipëria ndalon importin e derrave dhe pulave nga vendet e prekura nga “murtaja afrikane” dhe “gripi i shpendëve”

Sociale | 3 vite më parë

Shqipëria ka ndaluar importimin e derrave dhe pulave nga disa vende të Europës pasi janë të prekur nga “murtaja afrikane” dhe “gripi i shpendëve” e njohur si “Influenca Aviare”. Vendet me të cilat janë të ndaluar importi i derrave dhe pulave janë edhe fqinjët si Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mali i Zi dhe Greqia.

Sëmundja e Murtajës Afrikane të derrave (ASF), shkaktohet nga një virusi i familjes Asfaviridae dhe është shumë ngjitëse që prek derrat shtëpiak dhe ato të egër, ku shkalla e vdekshmërisë së të cilëve mund të arrijë deri në100%.

Kjo sëmundje nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve, por ka efekte shkatërruese në popullatën e derrave dhe ekonomi.

Aktualisht kjo sëmundje është prezente në shume vende të BE-së dhe të rajonit si Maqedoni e Veriut,  Kosovë, Greqi dhe së fundmi sëmundja është shfaqur edhe në Republiken e Malit të Zi, në derrat e egër.

Si pjesë të masave, Ministria e Bujqësisë ka ndaluar tranzitimi në Republikën e Shqipërisë të ngarkesave me kafshë të gjalla, produkteve te tyre, materialit biologjik, embrioneve të kafshëve të llojit derra, mishin e freskët dhe nënproduktet e tyre, nga vende, zona dhe territore ku është shfaqur sëmundja, bazuar nga njoftimet e marra nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve dhe nga sistemi elektronik i informacionit të sëmundjeve të kafshëve të BE-së.

Aktualisht urdhrat e miratuara për sëmundjen e ASF janë për shtetet si më poshtë: Kosovë, Italia, Letonia, Moldavia, Polonia, Suedia, Ukraina, Estonia, Bosnja, Serbi, Bullgari, Rumania, Kroaci, Greqi, Gjermani, Hungari, Sllovaki, Ceki, Maqedonia e Veriut.

Për sëmundjen e Influencës Aviare, që njihet ndryshe si gripi i shpendëve është urdhëruar bllokimi i shpendëve, materiali biologjik i tyre, vezët, mishi dhe nënproduktet e tyre të patrajtuara termikisht janë Danimarka, Franca, Gjermania, Hollanda, Hungaria, Italia, Polonia, Cekia, Belgjika, Bullgaria, Moldavia, Sllovakia, Rumani, Kroaci, Spanjë dhe Portugali.

Urdhrat janë me efekt të përkohshëm, dhe me marrjen e masave për çrrënjosjen e sëmundjeve nga këto vende dhe mbylljen e vatrës në sistemin e Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve, ato shfuqizohen. 

Ministria e Bujqësisë sqaron se në vendin tonë nuk ka asnjë rast të shfaqur të këtyre sëmundjeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme