Situata e gripit, ministrja Koçiu: Vaksinim i grupeve të riskut, 260 mijë doza në të gjitha Qendrat Shëndetësore

Sociale | 3 vite më parë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka zhvilluar një takim me drejtues të Institutit të Shëndetit Publik, të OSHK-së dhe Spitalit Infektiv.

Gjatë takimit u diskutua për vijimin e vaksinimit falas kundër gripit për grupet e riskut, ndërgjegjësimin e qytetarëve në lidhje me parandalimin ndaj virozëve të stinës së dimrit si dhe përforcimin e vëzhgimit.

“Zhvilluam sot një takim me drejtuesit e institucioneve kryesore si dhe me mjekë për të diskutuar mbi situatën e gripit në vend. Instituti i Shëndetit Publik ka marrë të gjitha masat për të shpërndarë në qendrat shëndetësore 260 mijë doza vaksine gripi. Operatori i Kujdesit Shëndetësor së bashku me qendrat shëndetësore dhe me mjekët e familjes, janë siguruar për të nxitur dhe për të vaksinuar të gjithë grupet e riskuara”, thekson ministrja e Shëndetësisë.

Koçiu rikujton se janë 31 qendra shëndetësore të shpërndara në të gjithë vendin të cilat ofrojnë shërbim 24/7 në këtë situatë virozash. Në qytetin e Tiranës kemi 4 qendra shëndetësore të cilat gjithashtu punojnë 24/7 dhe janë të hapura edhe si urgjenca pediatrike për më të vegjlit”.

“Dua të theksoj edhe një herë rëndësinë e vaksinimit, të gjithë grupet e riskuara duhet t’i drejtohen mjekut të familjes, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të moshuarit apo të gjitha ata që vuajnë nga sëmundje kronike, duhet të kryejnë vaksinën e gripit”, apelon ministrja Koçiu.

Me drejtuesit e strukturave shëndetësore diskutuam për situatën e gripit në vend, vijimin e vaksinimit falas kundër gripit për grupet e riskut, ndërgjegjësimin e qytetarëve në lidhje me parandalimin ndaj virozave të stinës, si dhe përforcimin e survejancës.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme