Digjen 4 banesa në Burrel/ Familjet në “qiell të hapur”: Të na ndihmojë shteti, të fusim fëmijët brenda

16 anëtarë të katër familjeve në lagjen “Pjeter Budi” të qytetit të Burrelit kanë mbetur në qiell të hapur pas zjarrit që përfshiu banesat e tyre nën të njëjtën çati mbrëmjen e së premtes. Në familjen e Sokol Skillës në momentin e rënies së zjarrit nuk ka patur asnjë person brenda.
“Veç kur erdha këtu kishte përfunduar çdo gjë. Nuk e di si ka ardhur, apo se si ka ndodhur. I kisha fikur, nuk kisha lënë ndonjë gjë ndezur”, shprehet banorja Dallëndyshe Skilla.
Edhe familja katër anëtarëshe e Dava Zenelcanajt humbi çdo gjë nga zjarri. Edhe kjo familje nuk ndodhej në banesë në momentin e fatkeqësisë.
“Ne kur kemi ardhur e kemi pasur të pamundur të shpëtojmë gjë. Dilte flaka andej matanë. Lusim Zotin të na ndihmojë shteti. Dimri, i ftohti dhe acar nuk e di më, mos pyet. Se çfarë është bërë për ne vetëm zemra jonë e di”, bën thirrje, Dava Zenelcanaj, një tjetër banore e prekur nga fatkeqeësia.
“Duam ndonjë shtëpi të fusim kalamajtë brenda”, apelon Dallëndyshe Skilla.
Për të shuar flakët ndërhynë dy mjete zjarrfikëse të Bashkisë së Matit dhe një mjet i forcave të armatosura, por gjithçka u shkrumbua shumë shpejt. Policia ende nuk ka një shkak të rënies së këtij zjarri, ndërsa vijon hetimet për të zbardhur arsyen e vërtetë. Paraprakisht dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike ajo që ka ndezur flakët. Nga ana e bashkisë të hënën do të shqyrtohet ndihma që do t’u afrohet familjeve të dëmtuara.
Gazetare: Nermin Spahiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




