Bojaxhiu pensionist që zbukuron muret e shtëpive, Kono Dhima: Do të punoj sa të kem fuqi

Sociale | 3 vite më parë

Kono Dhima mund të rrinte rehat e të gëzonte pensionin, të cilin ka vite që e merr. Por ai nuk e njeh pushimin dhe nuk i ndahet punës së bojaxhiut. Me kominoshe pune me tirante, me kapelën mbi sy dhe me furçën në dorë, ai është bërë i njohur në tërë qytetin e Sarandës, si Njeriu-Gëlqere.

Ai shprehet se lyen edhe me hidromat e si t’ia kërkojnë porositësit, por si gëlqerja për atë nuk ka pasi, është jetë, shëndet dhe pastërti njëherësh .

Puna që bën më me qejf është lyrja me gëlqere e mjediseve të përbashkëta të pallateve. Por ai e gjen kohën e gëlqeren për t’u dhënë një dorë edhe trungjeve të pemëve dekorative në trotuare. “Më ka mbetur që nga koha kur isha bojaxhi në Bashkinë e qytetit”, thotë ai.

Ndjehet i vlerësuar nga bashkëqytetarët si bojaxhiu me eksperiencën më të gjatë në këtë profesion, që bën punë të pastër dhe me çmime të përballueshme nga çdo familje. Kjo, thotë ai, është arsyeja që është shumë i kërkuar dhe rrallë ndodh të ketë ditë që të mos jetë i zënë me punë. Nuk është ai që e kërkon punën, por puna e kërkon atë.

Kono Dhima ka një jetë të tërë, përfshi edhe vitet e pensionit, që i jep bardhësi shtëpive të Sarandës, brenda e jashtë. Për këdo që e njeh Konon në qytetin bregdetar, ai mbetet ustai simpatik, simbol i shpirtit të bardhë si gëlqerja dhe simbol i punëtorit të pafjalë, që i flet puna.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme