Argjinatura e Shkumbinit/ 60 vite pas ndërtimit rehabilitohet për të parandaluar përmbytjet

Sociale | 3 vite më parë

Pas 60 vjetësh, argjinatura e lumit Shkumbin në Divjakë është duke u rehabilituar, për t’i bërë ballë rrezikut të përmbytjeve.

Është Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Fier, ajo që po kryen investimet në gjatësinë prej 6 km e gjysëm.

Për banorët e zonës, këto punime kanë një rëndësi jetike, sepse jo vetëm që i shpëtojnë rrezikut të përmbytjeve, por së bashku me këtë investim kryhet edhe elektrifikimi.

Kjo është një ndër zonat më të largëta të Divjakës dhe sipas banorëve mbi 30 vjet, ata nuk kanë pasur rrjet elektrik.

Që nga viti 1963, kur u ndërtua për herë të parë, argjinatura kishte pësuar dëmtime të shumta. Në vitin 2016, argjinatura e Shkumbinit u ça në Çermë duke shkaktuar përmbytje të mëdha.

Sot, punimet po kryhen mbi gjurmën e vjetër dhe lartësia e argjinaturës, shkon 3 deri 4 metër.

Njëkohësisht po punohet për ndërtimin e dy  ramëve, të cilat do të shfrytëzohen për kalimin e fermerëve dhe mjeteve bujqësore në tokat e tyre.

Përtej argjinaturës, janë rreth 500 ha tokë bujqësore dhe kalimi drejt tyre bëhet sipër argjinaturës nëpërmjet dy ramëve të caktuara.

Rehabilitimi i argjinaturës së lumit Shkumbin dhe mbrojtjes nga gërryerjet në Çermë dhe Kular, po kryhet me fondet e Ministrisë së Bujqësisë në vlerën e 32, 032, 410, 48 lekë.

Punimet kane filluar në muajin gusht të këtij viti dhe përfundojnë në dhjetor.

Momentalisht punohet në dalje të fshatit Sulzotaj, dhe deri në bashkimin e argjinaturës me degët e vjetra të Shkumbinit, ujërat kanë derdhjen në det.

Gazetare: Megi Mëhilli

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme