Vit i vështirë në vreshtari, breshëri dhe shiu ulin prodhimin, shitësit detyrohen të importojnë

Sociale | 3 vite më parë

Ky vit mund të cilësohet si më i vështiri në vreshtari. Breshëri dhe shiu kanë bërë që të ketë fare pak prodhim të rrushit. Familja e Musa Hilës nga fshati Mgullë i Kukësit nuk do të mund të prodhojë më verë, raki, lëng rrushi ose siç e quajnë vendasit musht si një vit më parë. Mundi i gjithë viteve në vreshtari po i shkon dëm, duke ndikuar edhe në ekonominë e tij familjare.

Ndërsa sipërmarrësi Brati nga fshati Bicaj i Kukësit vreshtarinë e ka kthyer në një biznes fitimprurës prej 10 vitesh. Por nga prodhimi i këtij viti është shumë i zhgënjyer.

”Vitin që shkoi kam marr 1500 kg rrush këtë vit nuk kam marr as 50 kg. Kemi pas shumë dëmtime. Për mushtin kemi gjetur treg për shitje në Durrës dhe kemi pas fitime të mira” thotë sipërmarrësi Brati.

Edhe agronomi e lidh mungesën e prodhimit kryesisht me faktorin natyror të reshjeve.

” Sivjet ka qenë një vit pak i vështirë sepse ka qenë një vit i ngarkuar me reshje. Rrushi reagon negativisht nga lagështira” thotë agronomi Sherif Visha.

Mungesa e prodhimit vendas të rrushit po vërehet edhe në tregun agro ushqimor të Kukësit. Ndikimi i parë është çmimi i lartë që varion nga 150-200 lekë kilogrami. Shitësit e konfirmojnë se janë të detyruar të importojnë rrush nga vendet e tjera të Shqipërisë, Italia, Maqedonia dhe Greqia.

Gazetar G. Hilaj

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme