Të famshmit që zgjodhën Shqipërinë/ Nga Meloni tek Ivanka Trump, bregdeti i preferuar i VIP-ave botërorë

Sociale | 3 vite më parë

Shqipëria çdo vit e më tepër po shndërrohet në një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj.

Ky vit na ka befasuar me numrin e vizitorëve që kanë dashur të shijojnë verën dhe bukuritë e natyrës shqiptare, por ajo që bie më tepër në sy është ardhja dhe rikthimi i emrave të njohur botërorë në fushës së artit, biznesit etj.

Ivanka Trump ishte ajo që bëri bujë me rikthimin e saj për pushime në jug të Shqipërisë, këngëtarja Dua Lipa pushoi disa ditë, e cila ka treguar se ndjehet aq mirë në ‘rrënjët’ e saj, familja e këngëtares Rita Ora, të cilët e kanë bërë traditë ardhjen në vendin e tyre dhe që mbi të gjitha janë një ndër promovuesit më të mirë të agroturizmit vendas.

Po ashtu multimiliarderi kinez Jack Ma, themeluesi i ‘Alibaba Group’ vizitoi Tiranën këtë muaj ku qëndroi disa ditë.

Turistët italianë kanë pushtuar këtë verë bregdetin shqiptar, të joshur nga bukuritë e tij por edhe çmimet e lira, por dy kanë qenë ata që tërhoqën më shumë vëmendje.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni qëndroi për tre ditë në Shqipëri ku ka shijuar bregdetin e jugut, dhe po ashtu edhe komediani, regjisori dhe skenaristi i njohur italian Cheçho Zalone.

Po aq bujë ka bërë edhe vizita e ish kryeministrit britanik Tony Blair. Kjo nuk është hera e parë që Blair ka vizituar plazhet e jugut. Në 2016-ën ai ka qenë në shoqërinë e kryeministrit Edi Rama në një nga plazhet e vendit.

Dëshirën e tij për të kaluar pushime në Shqipëri e ka shprehur edhe biznesmeni i njohur Italian, Flavio Briatore. I ftuar në emisionin ‘Zona  Bianca’ në Rete4, biznesmeni 73-vjeçar i njohur për jetën e pushimet luksoze pohoi se e njeh shumë mirë Shqipërinë dhe se nuk do kishte asnjë problem të vinte të pushonte në bregdetin shqiptar.

Gazetare: Megi Mëhilli 

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme