Trafiku në Rrugën e Kombit/ Më problematik mbetet aksi nga Ura e Drinit tek ajo Gjashtëmetroshe

Në Rrugën e Kombit vijon të mbetet problematik trafiku i rënduar. Për shkak të punimeve në urën mbi lumin Drin, më problematik mbetet aksi nga Ura e Drinit tek Ura Gjashtëmetroshe.
Ngushtimi i rrugës nga katër korsi në dy krijon pengesat për qarkullimin e lirë të mjeteve pa mundur të përballojë fluksin e lartë. Kjo për shkak të punimeve që kryhen për ndërtimin e urës së re mbi lumin Drin.
Në disa raste, pritjet në radhë shkojnë përtej harkut kohor 10 apo 20 minuta duke ngjallur edhe reagimet e udhëtarëve që janë nisur për pushime në bregdet.
Veç hyrjes në Morinë dhe radhëve për shkak të fluksit, ky segment është pika e dytë nevralgjike e trafikut gjatë orëve të para të ditës por edhe gjatë mbrëmjes në kthimin drejt Kosovës, pasi me fluks të lartë e radhë të herë pas hershme përballen edhe në traun e Kalimashit, segmentin Rreshen Milot, e sigurisht segmentet e tjera problematike Milot Lezhë, Thumanë- Fushkrujë- Vorë etj.
Pavarësisht këtyre problematikave që lidhen me trafikun e rënduar duket se qytetarët e Kosovës por jo vetëm nuk kanë hezituar për të kaluar fundjavat apo pushimet verore në Shqipëri e duke u cilësuar si sezoni më i suksesshëm përsa i përket shifrave të pushuesve e turistëve vendas e të huaj në vendin tonë.
Gazetar: B. Muçmata
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




