Më shumë plagë nga pickimet e insekteve

Gjatë këtij sezoni veror një nga shqetësimet më të shpeshta të qytetarëve kanë qenë pickimet nga insektet.
Mjekët bëjnë më dije se këtë verë, ndryshe nga vitet e shkuara, plagët e shkaktuara nga pickimet, qofshin këto edhe të thjeshta, kanë pasur një mbireagim të organizmit deri në shkaktimin e infeksioneve, që kanë kërkuar ndihmën e mjekut për t’i menaxhuar.
“Për hir të së vërtetës kemi pasur rastin të shohim pickime nga insektet apo edhe nga mushkonjat ndryshe nga vitet e tjera. Nuk di të them se cili është shkaku i shfaqjes së këtyre rasteve të veçanta, pra edhe pickimet e thjeshta nga mushkonjat kanë pasur një mbireagim të organizmit, ndaj edhe ndërhyrjet e mjekëve nuk kanë qenë vetëm më një trajtim lokal, por edhe me medikamente për qetësim të inflamacionit apo për të parandaluar mundësinë e shfaqjes së infeksioneve,” shprehet mjekja Bruna Shiorka.
Sipas mjekes, nuk kanë munguar as pickimet nga gjarpërinjtë, të cilat fatmirësisht janë menaxhuar në kohë.
“Kemi pasur raste të shtuara jo vetëm nga insektet, por edhe nga gjarpërinjtë. Kemi pasur raste nga më të lehtat deri tek më të rëndat, ku kemi ndërhyrë, për fat të mirë. Për shkak edhe të bazës materiale të nevojshme është dhënë ndihma e parë. Është bërë trajtimi edhe nga mjekja kirurge e qendrës dhe rastet i kemi menaxhuar,” thotë mjekja Shiorka.
Mjekët nuk janë në gjendje të japin një shpjegim përse pickimet nga insektet janë bërë më agresive, por ndryshimet klimaterike mbeten një ndër shkaqet.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




