Manastirliu: Aplikimi i Kontrollit Mjekësor Bazë, i kthehen ekonomisë së vendit 5 mln dollarë në vit

Në Forumin Shkencor për Programin e Kontrollit Mjekësor Bazë dhe impaktin e tij në parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka vënë theksin në përfitimet shëndetësore dhe ekonomike që ka sjellë zbatimi i këtij programi.
“Nëse do të bëhej një përllogartje, vetëm nga Kontrolli Mjekësor Bazë i kthehet mbrapsh ekonomisë së vendit të paktën 5 milion dollarë në vit” tha zonja Manastirli. Sipas ministres në sajë të një evidentimi të hershëm të problematikave shëndetësore, kostot e përballimit janë më të ulta.
Gjatë këtij forumi shkencor, ministrja Manastirliu bëri me dije se nga programi i Kontrollit Mjekësor Bazë, ka një rritje të personave të diagnostikuar hershëm për sëmundjet e diabetit dhe hipertensionit.
“Ky program ka pasur impakt të qëndrueshëm në rritjen e diagnostikimit të hershëm për sëmundje që konsiderohen të fshehta ,si, diabeti dhe hipertensioni, për të cilat, në vitet e implementimit të këtij programi, ajo çfarë është evidentuar është se, kemi pasur një rritje me 35% të diagnostikimit për sëmundjen e diabetit, përfshirë këtu edhe pre-diabetin dhe gjithashtu 12% më shumë të evidentuar në kohë për sëmundjen që ka lidhje me hipertensionin”,- tha Manastirliu.

Eksperti i Institutit të Shëndetit Publik, Prof. Alban Ylli, ka nënvizuar gjatë prezantimit të studimit, se, Programi i Kontrollit Mjekësor Bazë, ka kontribuar në rritjen e viteve të jetës dhe uljen e qëndrueshme çdo vit të vdekshmërisë nga hipertensioni, diabeti, goditjet cerebrale dhe sëmundjet ishemike të zemrës.
“Për të gjithë periudhën në studim, janë 5200 vite jete të përfituara, gjysma e të cilave, i dedikohet check-up, pikërisht bazuar në analizën që bëmë, sepse ndërhyrja më e madhe në këtë periudhë ka qenë në kujdesin parësor, nëpërmjet programit të Kontrollit Mjekësor Bazë”,tha prof. Alban Ylli.

Shefi i Shërbimi të Endokrinologjisë në QSUT, Prof. Agron Ylli, ka theksuar se në vitet e fundit, ka një rritje të rasteve të identifikimit të hershëm për të sëmurët me diabet.
“Me anë të Kontrollit Mjekësor Bazë kapëm rreth 4.5% të popullatës që nuk e dinin që kishin diabet dhe po të shohësh shifrat sot, Shqipëria është 10% e popullatës me diabet”,tha Prof. Agron Ylli.
Sipas të dhënave të fundit, Programi i Kontrollit Mjekësor Bazë ka rritur aksesin në shërbime, duke u shtrirë edhe në zonat e thella rurale, ku janë 54% e përfituesve të këtij programi.
Nga ky program kombëtar përfiton e gjithë grup mosha nga 35-70 vjeç, që janë afro 1.2 milion qytetarë.
Programi i Kontrollit Bazë Shëndetësor po e ndihmon Shqipërinë të arrijë objektivat lidhur me uljen e vdekshmërisë së parakohshme nga sëmundjet jo të transmetueshme.
Sipas të dhënave të studimit të kryer, vdekshmëria nga hipertensioni dhe diabeti për grup moshën 30-69 vjeç, ka një rënie mesatare vjetore përkatësisht prej 12% dhe 7%. Gjithashtu vdekshmëria nga aksidentet cerebrovaskulare dhe sëmundjet ishemike të zemrës, ka një rënie mesatare vjetore 5% dhe 3% respektivisht.
/ rtsh. al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




