Fshati Kolanec në Maliq/ Shtrohen rrugët, rritet interesi për të investuar në këtë zonë

I ndodhur vetëm 3 kilomer larg Maliqit, fshati Kolanec shtrihet përgjatë një peizazhi malor të mrekullueshëm, dhe cilësohet si një nga më të bukurit e zonës. Investimet e bëra së fundmi për rehabilitimin e rrugëve të brendshme me kalldrëm pritet ta kthejnë në një fshat turistik.
Gjatë vizitës sonë në fshat takuam Drita Matoitin e cila jeton në Tiranë. Ajo na tregon se prej vitesh muajt verës i kalon në këtë fshat, i cili njihet për historinë e tij, klimën, prodhimet e gatimet tradicionale dhe banorët shumë mikpritës.
Para 6 vitesh Drita bleu një shtëpi në fshatin Kolanec, duke zgjedhur të kalojë këtu verën larg zhurmës së kryeqytetit. Pas investimeve të kryera në këtë fshat Drita ka mendimin se edhe banorët e tjerë do fillojnë të investojnë në këtë fshat i cili ka resurse të mëdha turistike.
Projekti për rehabilitimin e rrugëve të brendshme me kalldrëm në fshatin Kolanec të bashkisë Maliq, është një investim i Këshillit të Qarkut Korçë, nëpërmjet fondeve të Bashkimit Europian, në vlerën e rreth 6 milion lekëve.
Përveç shtrimit të rrugëve të brendshme të fshatit me kalldrëm, është bërë dhe rehabilitimi i çezmave të fshatit dhe vendosja e ndriçimit publik.
Gazetar: E. Fili
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




