Nis rindërtimi i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut

Sociale | 3 vite më parë

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka nisur faza e dytë e investimit për Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Lajmin e ka dhënë në rrjetet sociale ministrja e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale Ogerta Manastirliu.

Sipas saj ky është një investim rrënjësor, që nuk është parë në këto përmasa që prej ndërtimit të kësaj qendre, në vitin e largët 1976.
“Me këtë investim të ri, do të riorganizojmë të gjithë sistemin laboratorik, me aparatura të reja të teknologjisë bashkëkohore” shkruan zonja Manastirli. 

Me këtë rast po investohet edhe për sistemin digjital të informacionit, për më shumë shpejtësi, cilësi dhe siguri të administrimit të gjakut, jo vetëm në këtë qendër reference, por edhe në bankat e gjakut kudo në spitalet rajonale.  

Në Shqipëri Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ) u themelua në vitin 1951. 

Themelimi u pasua nga ndërtimi i një rrjeti bankash gjaku spitalore (gjithsej 26) me qëllim krijimin e kushteve për dhurim gjaku dhe shërbime pacienti pranë çdo spitali. 

Në vitet ’90 u shtuan edhe pesë banka të tjera gjaku në Tiranë (pranë çdo spitali publik) duke e çuar në 31 numrin total të bankave te gjakut në vend. 

Të gjitha bankat e gjakut në nivel kombëtar kontrollohen teknikisht dhe inspektohen rregullisht nga QKTGJ.

Dhurimi i gjakut në Shqipëri ka filluar si një praktikë e paguar dhe vazhdoi si e tillë për më shumë se 50 vite. 

Ekzistenca e një tradite të dhurimit me pagesë të gjakut e vështirësoi shumë kalimin në dhurimin vullnetar të gjakut dhe çrrënjosja e kësaj tradite mbetet një sfidë akoma edhe sot për shërbimin transfuzional në Shqipëri.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme