” Fëmijët dhe të Rinjtë” , krijohet Platforma Kombëtare e Shoqërisë Civile për Integrimin Evropian

Shtatë organizata për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, më 9 Maj në “Ditën e Europës”, shpallën krijimin e Platformës Kombëtare të Shoqërisë Civile për Integrimin Europian për Fëmijët dhe të Rinjtë.
Platforma është një iniciativë e CRCA/ECPAT Shqipëri, së bashku me ALO116 Shqipëri, MEDPAK, Save the Children në Shqipëri, SHKEJ, Terre des Hommes dhe World Vision në Shqipëri.
“Pas disa muajsh pune intensive, sot shpallim një ndër përpjekjet më serioze të shoqërisë civile, për të mbështetur Shqipërinë dhe autoritet për të avancuar në procesin e integrimit në BE, duke vendosur interesat e fëmijëve dhe të të rinjve në qendër të këtij procesi” – tha Altin Hazizaj, nga CRCA/ECPAT Shqipëri.
Platforma synon të nxisë bashkëpunimin, angazhimin dhe kontributin e sektorit të shoqërisë civile të cilët punojnë në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në procesin e negociatave për integrimin europian të Shqipërisë.
Platforma synon po ashtu pjesëmarrjen e shoqërisë civile, fëmijëve dhe të rinjve, në këtë proces transformues, si dhe nxitjen e transparencës së institucioneve përkundrejt qytetarëve dhe shoqërisë.
“Platforma Kombëtare e Shoqërisë Civile për Integrimin Europian: Fëmijët dhe të Rinjtë, është e gatshme të mbështesë Shqipërinë në procesin e negociatave me BE-në, si në aspektin e përafërimit të legjislacionit, ashtu edhe të praktikave më të mira për mbrojtjen dhe kujdesin e fëmijëve dhe të rinjve” – tha Anila Meço, nga Save the Children Shqipëri.
Platforma ka përcaktuar gjashtë objektiva kryesore për punën e saj, ndërkohë që do të jetë e hapur për kontibutin dhe pjesmarrjen e të gjitha OSHC-ve të fëmijëve dhe të të rinjve anembanë Shqipërisë, që duan të mbështesin kauzën e fëmijëve dhe të të rinjve gjatë negociatave për integrimin në Bashkimin Europian.
“Çelja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendit në BE. Në këtë kuadër, ne vlerësojmë dhe përgëzojmë hapat pozitivë që Shqipëria ka ndërmarrë në përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave. Ky proces nënkupton njw transformim themelor ligjor, shoqëror dhe administrativ, ndaj roli që shoqëria civile luan në të është i një rëndësie të veçantë” – tha Eljona Boçe, nga World Vision në Shqipëri.
Të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve zënë një vend tepër të rëndësishëm në shumë prej kapitujve të Acquis, ndaj angazhimi dhe kontributi i OSHC-ve të sektorit, si dhe vetë fëmijëve dhe të rinjve, në këtë proces transformues është kyç për të siguruar pjesëmarrjen qytetare në proceset vendimarrëse, fuqizimit të demokracisë dhe transparencës së institucioneve përkundrejt tyre.
“Si përfaqësuese e një organizate, por edhe si prind, jemi të gatshëm të sjellim perspektivën e aftësisë së kufizuar për aksesueshmerinw dhe gjithëpërfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve me aftesi të kufizuar për përafrimin e legjislacionit tonë me direktivat e BE-së, në fokus aftësinë e kufizuar.” – tha Zela Koka, nga Shoqata MEDPAK.
Platforma e Shoqërisë Civile për Integrimin Europian: Fëmijët dhe të Rinjtë, ka si qëllim, ndër të tjera, të mbështesë dhe të kontribuojë në Platformën e Partneritetit për Integrimin Europian të ngritur nga Qeveria shqiptare dhe që funksionon në bazë të tryezave të kapitujve respektivë të negociatave, pranë Ministrive dhe institucioneve kryesore.
“Ne ftojmë të gjitha institucionet publike në Shqipëri, sidomos Ministritë që udhëheqin kapitujt specifikë në procesin e negociatave, që të përdorin të gjithë bagazhin e dijeve dhe të ekspertizës mbi 30 vjeçare të OSHC-ve për të punuar dhe përmirësuar së bashku situatën e të drejtave të fëmijëve dhe të të rinjve në vend, në përputhje me detyrimet që lindin nga procesi për anëtarësimin në BE” – tha Enkelejda Kallçiu, nga Terre des Hommes Shqipëri.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.
Të ngjashme
Të fundit
Më të lexuarat




