Patatet e skuqura e shëndeti mendor, studimi: Rreziku lidhet me ankthin dhe depresionin

Sociale | 4 vite më parë

Patatet e skuqura njihen për sasinë e lartë të yndyrnave, niseshtes dhe për më tepër si një ushqim rehatie për shumë njerëz. Por studimet e fundit, publikuar edhe në prestigjozen CNN, kanë treguar se ato kanë një ndikim shumë negative në shëndetin mendor.

Një ekip hulumtues në Hangzhou, Kinë, zbuloi se konsumimi i shpeshtë i ushqimeve të skuqura, veçanërisht patateve të skuqura, lidhej me një rrezik 12% më të lartë të ankthit dhe 7% rrezik më të lartë të depresionit sesa te njerëzit që nuk hanin ushqime të skuqura. Lidhja ishte më e theksuar mes të rinjve.

Ushqimet e skuqura janë faktorë rreziku të njohur për obezitetin, presionin e lartë të gjakut dhe efekte të tjera shëndetësore. Megjithatë, ekspertët që merren me studimin e ushqimeve thanë se rezultatet janë paraprake dhe nuk është e qartë nëse ushqimet e skuqura po nxisin probleme të shëndetit mendor, apo njerëzit që përjetojnë simptoma të depresionit ose ankthit i drejtohen ushqimeve të skuqura.

Studimi mori  në vlerësim 140,728 njerëz mbi 11 vite e 3 muaj. Pas përjashtimit të pjesëmarrësve të diagnostikuar me depresion brenda dy viteve të para, u gjetën gjithsej 8,294 raste ankthi dhe 12,735 raste depresioni tek ata që konsumuan ushqim të skuqur, ndërsa patatet e skuqura veçanërisht kishin një rritje prej 2% në rrezikun e depresionit krahasuar me mishin e bardhë i skuqur.

Studiuesit sqarojnë se akrilamide, një kimikat i formuar gjatë procesit të skuqjes, veçanërisht në patatet e skuqura, është fajtor për rrezikun më të lartë të ankthit dhe depresionit.

Gazetare: Sonila Mlloja 

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme