Java Evropiane e Imunizimit, Manastirliu: Mbi 4500 vajza të vaksinuara!

“Janë më shumë se 4500 vajza që janë vaksinuar kundër HPV-së ( Human Papiloma Virusit ) “. Deklarata është bërë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila mori në kuadër të Javës Evropiane të Imunizimit, pjesë në një orë të hapur ndërgjegjësuese për vaksinimin në shkollën “Lasgush Poradeci”, në Tiranë. “Që nga momenti i parë në datën 1 nëntor, kur ne e filluam këtë program dhe deri më sot ne kemi mundur që falë punës së mjekëve, të vaksinatorëve tanë, të Institutit të Shëndetit Publik, më shumë se 93 % e vaksinave të mbërritura kundër HPV-së të mundet të përthithen, të administrohen tek ato vajza të cilat ne i kishim planifikuar”, u shpreh Manastirliu.
Përgjegjësja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Prof. Silva Bino, ka theksuar rëndësinë e vaksinimit, sipas Kalendarit Kombëtar të Vaksinimit.
“Dua t’i motivoj prindërit, po edhe juve, që të ndikoni tek prindërit tuaj, që të jeni sa më mirë të vaksinuara me vaksina të sigurta, të cilat janë falas. Ne sot kemi nje program që të mbron nga 13 sëmundje, kështu që ta mirëmbajmë, të vaksinohemi, që të jemi të shëndetshme”, theksoi Bino.
Vaksina kundër Human Papiloma Virusit është përfshirë në programin kombëtar të imunizimit për të gjitha vajzat që mbushin moshën 13-vjeç. Vaksina kundër HPV ofrohet në një dozë të vetme, bazuar në vlerësimin e Komitetit Kombëtar të Ekspertëve të Imunizimit dhe në rekomandimet e grupit të ekspertëve të OBSH.
Në çdo qendër shëndetësore që ka përfunduar vaksinimi i plotë i vajzave të datëlindjes 2009 ka filluar vaksinimi për vajzat e ditëlindjes 2010. Deri tani janë rreth 4500 vajza që janë vaksinuar ndaj HPV. Mbi 15 mijë vajza do të vaksinohen çdo vit falas kundra HPV, duke zeruar shanset e prekjes nga kanceri i qafës së mitrës.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




