Ministrja Ibrahimaj viziton Panairin e Punës dhe Aftësive, ofrohen 1200 vende të lira pune

Sociale | 4 vite më parë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ishte e pranishme të martën në Panairin e Punës dhe Aftësive, i cili zhvillohet në datat 25-26 prill në ambientet e Pallatit të Kongreseve, nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive.

Në këtë panair marrin pjesë 35 kompani, 15 prej të cilave janë të huaja, dhe 29 institucione arsimore dhe trajnimi. 

Në total numri i vendeve të lira që ofrohen për punëkërkuesit është 1200.

Ministrja Ibrahimaj vizitoi nga afër stendat e kompanive pjesëmarrëse në panair, ku u njoh nga afër me to dhe bashkëbisedoi lidhur me ofertën e tyre të punës.

Ministrja vlerësoi organizimin e këtij eventi si një mundësi shumë e mirë për punëkërkuesit dhe për punëdhënësit, përmes së cilës ndërlidhet më së miri kërkesa me ofertën.

Sipas Ibrahimaj, bizneset e pranishme në Panairin e Punës dhe Aftësive janë një shembull shumë i mirë se si sipërmarrja është duke u transformuar, se si kompanitë po zhvillohen dhe po gjejnë rrugët  për të qenë sa më konkurruese në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, në sektorë, si: teknologjia, industria, shërbimet etj., ku paga mesatare është rreth 110,000 lekë.

Në ditën e parë të tij, Panairi i Punës dhe Aftësive u vizitua nga 3000 persona, të cilët u njohën nga afër me vendet e lira të punës të ofruara.

Të gjithë punëkërkuesit mund të njihen me ofertën e vendeve të punës edhe përmes portalit puna.gov.al, ku aktualisht janë rreth 3,300 vende të lira. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme