Kujtimi, njeriu që peshon shkodranët, prej 32 vitesh në pedonale me peshoren e tij

Sociale | 4 vite më parë

Çdo ditë ai del me një peshore në një nga rrugët më të populluara të qytetit. Ai është Kujtim Lika dhe në Shkodër është thuajse e pamundur të gjesh dikë që nuk ka ndaluar para peshores së tij, ndërsa ka mbi 32 vite që del çdo ditë në rrugët e qytetit.

“Kur kam filluar punë, kam filluar me shtet këtu sepse kam punuar 5 vite ne komunale, më pas pati shkurtime dhe sigurimet shoqërore ma gjetën këtë punë”, tregon Kujtimi

Ndonëse për Kujtimin peshorja është një mjet jetese, ai e ka të vështirë t’i shikojë kalimtarët në rrugë thjesht si klientë.

“Unë rri paradite, pasdite dhe kush vjen ardhtë i bardhë,. Ka që më lenë bakshish më tepër, ka që më thonë ‘kujtim nuk kemi’, s’ka gjë i them unë, i sjellin më pas”, thotë ai.

Nuk janë të pakët as turistët që ndalojnë para tij, por me këta të fundit e ka disi më të vështirë komunikimin.

“Vijnë edhe turistë, por me ta nuk di të merrem vesh sepse janë të huaj dhe ja shkruaj me letër sa kilogramë janë”, shprehet Kujtimi

Peshorja e Kujtimit ngjan e vjetër, por ajo është funksionale dhe nuk ka ndërmend ta zëvendësojë me një elektronike.

“E duan njerëzit këtë sepse thonë që është më e saktë. Kam patur edhe peshore të vogël elektronike, por ma hidhnin njerëzit sepse nuk e shihnin, ndërsa kjo shihet”, thotë ai.

Ditët me shi ndonjëherë bëhen pengesë për punën e përditshme të tij.

“Jam mësuar me këtë punë dhe kur nuk dal kur bie shi, mërzitem”, shprehet Kujtimi.

Kujtimi ndihet falënderues ndaj të gjithë atyre që ndalen para tij dhe thotë se peshorja i është bërë pjesë e pandarë e jetës.

/rtsh/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme