Politika uron 7 Marsin: Mirënjohje mësuesve për misionin e tyre

Sociale | 4 vite më parë

Sot është 7 Marsi, Festa e Mësuesve, ku urimet dhe vlerësimet për punën e tyre shprehen nga të gjithë nxënësit dhe qytetarët në të gjithë vendin. Edhe politika ka uruar mësuesit në Shqipëri duke shprehur përulësi për kontributin e tyre në edukimin e brezave të rinj.

Urimi më i veçantë për mësuesit ka ardhur nga Ministria e Arsimit, përmes një kënge emocionuese të kënduar nga fëmijët, por edhe vetë ministrja Evis Kushi.

“Gëzuar 7 Marsin dhe mirënjohje për ju të dashur mësues! Ju me misionin tuaj edukoni fëmijët tanë, mbillni ëndrra dhe i frymëzoni ata çdo ditë! Kjo video u realizua me kontributin e veçantë të nxënësve nga Instituti i Nxënësve që Nuk Shikojnë, Instituti i Nxënësve që Nuk Dëgjojnë, Shkolla Artistike “Jan Kukuzeli” Durrës, Shkolla e Baletit dhe Gjimnazi “Qemal Stafa” Tiranë”, shkruan Kushi.

Edhe kryeministri Edi Rama ka uruar mësuesit në këtë ditë të shënuar, ndërsa shpreh mirënjohje për punën dhe sakrificën.

“Gëzuar “7 Marsin” mësues të dashur, me përulësinë e mirënjohjen më të madhe ndaj Jush”, shkruan Rama.

Presidenti Bajram Begaj ka uruar të gjithë mësuesit shqiptarë ku thekson se mësimdhënia është një mision sublim.

“Sot, në Ditën e Mësuesit, unë dhe Armanda duam të urojmë të gjithë mësuesit shqiptarë kudo që ata ndodhen për këtë ditë të shënuar! Ne, gjatë jetës sonë kemi pasur privilegjin të ushtrojmë edhe mësimdhënien, ndaj e dimë mjaft mirë se sa mision sublim është të mësosh, të edukosh dhe të përçosh dije tek të rinjtë.

Në këtë 7 Mars, është e udhës të urojmë të gjithë mësuesit që kanë lënë një shenjë tek ne, që na kanë ndihmuar të bëhemi profesionistë më të zotë, njerëz më të mirë e qytetarë më të denjë për shoqërinë ku ne jetojmë.

Gjithashtu, është e rëndësishme të kujtojmë të gjithë mësuesit dhe veprimtarët e shquar të arsimit kombëtar, si drejtuesin e parë të Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Koto Hoxhin, motrat Qiriazi, si edhe qindra mësues që ishin pionierët e arsimit shqiptar.

Së fundmi, falenderoj dhe të gjithë mësuesit shqiptarë në diasporë, të cilët bëjnë një punë të jashtëzakonshme në përçimin e gjuhës shqipe tek fëmijët shqiptarë të lindur dhe rritur jashtë vendit. Gëzuar ditën tuaj mësues të dashur dhe faleminderit nga zemra!”, shkruan Begaj.

Urimet nuk kanë munguar as nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e cila shkruan se “7 Marsi, Festa e Mësuesit, është një ditë mirënjohjeje. Për mësueset e mësuesit që vit pas viti, ditë pas dite, orë pas ore, me energjitë, talentin,  vizionin dhe dashurinë e tyre përgatisin dhe edukojnë brezat e rinj, për të ndërtuar të ardhmen”.

Vlerësim për sakrificën e mësuesve ka ardhur edhe nga deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi.

“Për të gjithë ju mësues kudo në Shqipëri një urim i veçantë, për sakrificën dhe punën tuaj të palodhur në edukimin e gjeneratës së re”, shkruan Kryemadhi.

Si sot 136 vite më parë në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, një ngjarje me rëndësi madhore në përpjekjet e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme