Ndryshimet në Kodin Rrugor, Gonxhe: Forcohen masat, kolaudimet e mjeteve fillojnë në maj!

Drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja u shpreh se, “për ndryshimet në Kodin Rrugor është punuar përpara një viti dhe investimet në teknologji dhe logjistikë kanë rritur besimin e qytetarëve për marrjen e shërbime cilësore nga institucioni ynë“.
Gjatë një interviste televizive ai tha se sot kemi 1.1 milionë shoferë dhe 670 mijë automjete në Shqipëri, që përbën një numër të lartë të popullatës që preket nga shërbimet e këtij sektori.
Teksa theksoi se, ne e dimë që ka mjete që qarkullojnë pa kolaudim dhe siguracion duke u bërë një rrezik i shtuar. “Por metodat janë në kapjen në flagrancë edhe në një parkim privat, nëse nuk jeni në garazhin personal”, tha ai.
Me ndryshimet e reja, gjoba për moskryerjen e siguracionit shkon deri në 40 mijë lekë të reja dhe mund të bllokohet edhe mjeti, theksoi Gonxhe.
Sot, tha ai, pagesat e siguracionit kryehen online dhe po në mënyrë automatike ne e kontrollojmë këtë proces.
Ai bëri të ditur se, kur shoferi kapet i dehur apo duke përdorur celularin në timon, do të përballet me tre apo katërfishim të gjobave.
“Nëse e përsërit shkeljen penaliteti është akoma më i rëndë. Ka shumë rëndësi zona ku e bën, nëse e bën shkeljen në zonë urbane është më e rëndë. Është futur koncepti i këshillimit për herë të parë, kur masa është pa pasoja të rënda. Kemi vendosur gjoba për mosvendosjen e rripave dhe sediljeve të fëmijëve, por edhe rripin e pasagjerit. Për herë të parë futen masa edhe për këmbësorët.
Nëse keni kaluar rrugën në vendin e gabuar ka një gjobë, nëse do të ecni në biçikletë me kufje, ka një gjobë. Rëndohen masat që kanë të bëjnë me sjelljet e rrezikshme. Përveç gjobës, për drejtuesit e mjeteve hiqen edhe më shumë pikë, nëse e përsërisin gabimin duke i rikthyer ata në autoshkollë”, – tha Gonxhe.
Ai solli në vëmendje se për periudhën maj 2020 – maj 2021, janë hequr totalisht pikët për 401 shoferë dhe 267 nga këta e kanë rifituar patentën.
“Kolaudimi i automjeteve do të fillojë brenda majit. Ata që kanë një certifikatë që u ka skaduar gjatë 2021, p.sh. në janar dhe kolaudimi ka qenë i mbyllur dhe skadon në qershor dhe shtator, këta i shtojnë edhe 12 muaj vlefshmëri certifikatës së tyre. Mjetet e reja do të vijnë pas tre viteve nga targimi i parë. Dy vjet mjetet e përdoruara. Do të fillojmë kolaudimin brenda majit, pasi kemi 150 mijë mjete që kanë hyrë”, – deklaroi Gonxhe.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




