Grupi i e parë turistik në Gjirokastër

Sociale | 6 vite më parë

Dhe pikërisht në çastet kur të gjithë elementët e turizmit në Gjirokastër po presin me pasiguri nisjen dhe ecurinë e kësaj stine të shumëpritur turistike, ka mbërritur këtë të dielë, grupi i parë me turistë të huaj. Ky grup prej 12 vetësh që u duk si një ogur i mirë për rinisjen optimiste të turizmit në qytetin tonë të gurtë, po viziton përgjatë disa ditësh, qytete të ndryshëm të Shqipërisë dhe sigurisht edhe Gjirokastrën duke bartur tek vendësit dhe tek të gjithë ata që janë lidhur ekonomikisht por edhe shpirtërisht me turizmin e këtushëm, shpresën për një sezon më të mbarë se ai i vitit të shkuar. Janë të gjithë të vaksinuar dhe kanë hyrë në Shqipëri pa problem dhe pa frikë. Ata thonë për Rtsh-Gjirokastra se pas vaksinimit, ndjehen më të sigurtë e se nga qyteti ynë muze, kanë ngelur të magjepsur e se dëshirojnë të rikthehen, duke sjellë me vete edhe shokë të tjerë të tyre.

“Kemi ardhur pa probleme në Shqipëri. Jemi një grup prej 12 vetësh dhe që të gjithë të vaksinuar. I vetmi problem që hasëm ishte se udhëtimin e kishim planifikuar për vitin e shkuar por e shtymë për sivjet për shkak të kushteve që imponoi kovidi. Kur viziton Shqipërinë, nuk bëhet të mos shohësh Gjirokastrën. Deri tani kemi vizituar kështjellën dhe qëndrën e pazarit të vjetër. Pasi edhe nesër të vazhdojmë vizitën tonë këtu, do të largohemi”, shprehet njëri prej tyre.“Është një qytet me histori, është një qytet interesant me njerëz të mirë e të sinqertë. Vizituam kalanë për vetë karakterin e saj mbrojtës – ushtarak dhe ajo është që n’a ka bërë kaq shumë përshtypje. Patjetër që do të rikthehemi këtu edhe me miqtë tanë”, shprehet një tjetër.

Për udhërrëfyesit turistikë, viti që lamë pas, qe tepër i vështirë jo vetëm nga ana ekonomike profesionale por edhe nga ana emocionale e shpirtëtore pasi mungesa e turistëve, la shumicëm e tyrë të papunë ndërsa zhvillimet e bujshëm, negativë që shkaktoi pandemia, krejt të pasigurt për të ardhmen. Udhërrëfyesi Eduard Qëndraj, shoqëruesi i këtij grupi turistësh, thotë për Rtsh-Gjitokastra se nisja e fushatës së vaksinimit por edhe ardhja e këtyre turistëve të parë, ndjell optimizëm së këtë vit, do të kemi një sezon turistik më të suksesshëm se ai i vitit të kaluar.

Turistët e së dielës, që shoqëruesi i tyre i quan dallëndyshet e para të sezonit turistik të sivjetshëm, janë të gjithë nga Zvicra që është po ashtu vend krejt malor, me kështjella dhe me histori tejet interesante e të larmishme kulturore. Por ç’i shtyn ata të marrin rrugën e të duan të mësojnë për Shqipërinë malore, me kështjella dhe histori të rrallë? Me sa duket edhe në sytë e tyre, vendi ynë dhe Gjirokastra, janë të denjë për tu vizituar, për tu shijuar e për tu marrë me vete si një kujtim i fortë mbresëlënës!


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme