Gjirokastër, persona të papërgjegjshëm thyejnë pemët në shkollën “Pandeli Sotiri”

U mbollën para dy vitesh e u rritën me përkujdesje të madhe, por sot nuk janë më. Pesë pemë bliri janë gjendur përtokë, mëngjesin e djeshëm, në oborrin e Gjimnazit Gjuhësor “Pandeli Sotiri” në Gjirokastër. Masakra e njerëzve të papërgjegjshëm ka nisur herët në ambientet e jashtme të kësaj shkolle, ku përherë janë shënuar ngjarje të tilla edhe pse përdoren nga qytetarët për të kaluar orët e pasdites. Të gjitha nismat dhe përpjekjet e stafit të mësuesve e nxënësve për të krijuar mjedise çlodhëse e me gjelbërim kanë shkuar dëm.
“Dëshiroj të ndaj me ju shqetësimin tim personal dhe gjithë stafit të Gjimnazit Gjuhësor “Pandeli Sotiri” në lidhje me mjedisin rrethues, mjedisin e përbashkët me komunitetin përreth. Para dy vitesh ish prefekti Astrit Aliaj, me nismën e tij vullnetare, mbolli pemë në oborrin e kësaj shkolle. Prej atij momenti ne jemi kujdesur shumë për mirëmbajtjen e tyre, por fatkeqësisht ditën e djeshme i kemi gjetur të thyera të gjitha. I bëj thirrje komunitetit të jetë më i përgjegjshëm, sepse është mjedis dhe i tyre, ku kalojnë pasditen. T’i edukojnë fëmijët e tyre me ndjenjën e së bukurës, me ndjenjën e ruajtjes së pronës, të ruajtjes së mjedisit. Është një mjedis funksional për të gjithë dhe të gjithë duhet ta mbrojmë atë.”- thotë Matilda Gushi drejtoresha e shkollës.
“Jemi kujdesur gjithë këto vite të kemi një ambient të pastër e të gjelbëruar, duke marrë nisma për pastrimin dhe mbjelljen e pemëve, por shohim se njerëzit janë të papërgjegjshëm. Nuk e kuptoj se si e shkatërrojnë vendin që e përdorin për t’u argëtuar.”- thotë Anisa, nxënëse e klasës së 8.
“Akoma nuk është kuptuar rëndësia që ka gjelbërimi dhe ambient i pastër për shëndetin tonë. Është e dhimbshme të vish e të gjesh pemët të shkatërruara nga dora e njeriut. Asnjë e tillë s’ka mbetur edhe pse kemi mbjellë shumë.” – shprehet Maria, nxënëse e klasës së 9.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




