Blegtorët e zonës së Delvinës përballen me problemin e tregut

Sociale | 6 vite më parë

Blerja e mpakur e qingjave për këtë vit dhe çmimi i ulët për kilogram mishi, ka bërë që blegtorët të përballen me vështirësi të mëdha në funksionimin e tyre. Blegtorët e Delvinës, ankohen se përveçse me çmim të ulët, thertoret s’pranojnë t’i blejnë qingjat pasi nuk ka kërkesa gjatë kësaj kohe të pandemisë së covid-19. 

20 vjeçari Mikel Dervishaj nga fshati Bajkaj, është një prej të rinjve të kësaj zone  i cili që në moshën 18 vjecare, vendosi të lerë shkollën për t’u bërë bari që të mos braktisë vendin e tij por sipas tij, ky biznes që kanë hapur me të atin, nuk po funksionon edhe për shkak të mungesës së tregut për produktet.

“Unë mbarova shkollën e mesme para dy vitesh dhe provova ta bëja si biznes me babanë tim por siç e shikojmë është drejt falimentimit. Këtu kemi rreth 350 krerë  me gjith babin por nuk ka treg, nuk shiten. Për vitin e ri i kërkonin me 3 mij lekë. Të japësh atë me tre mijë lekë, është gjynah.

Është shumë e vështirë të merresh me to, ja ti e shikon edhe vetë si jam bërë ujë, nëpër shi, çizmet kemi dy muaj që nuk i heqim. Bagëtitë duan 24 orë shërbim, kam që parmbrëmë pa vajtur në shtëpi. Ngrihem herët në mëngjes, ha bukë, iki me sheleg, iki me dhën e nuk mundem të vij këtu as për pak gjumë sepse n’a’i vjedhin! S’kam si bëj ndryshe, duhet shumë përkushtim. Misrin e blejmë, është i shtrënjtë, jonxha është e shtrenjtë”, shprehet i riu Mikel Dervishaj.

Me kësi problemesh në zonën e Delvinës përballen edhe blegtorët e tjerë dhe duket se pandemia, po ka pasoja edhe tek blegtorët përveç sektorëve të tjerë që ka goditur.  


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme