Lazarat, nis rikonstruksioni i qendrës shëndetësore me fonde nga qeveria

Sociale | 6 vite më parë

Në kuadër të programit të 300 qendrave shëndetësore ka filluar edhe rehabilitimi i qendrës shëndetësore të fshatit Lazarat në Gjirokastër e cila u shërben 3490 banorëve. Punimet e nisura sot, me fonde të qeverisë shqiptare, synojnë kthimin e saj në një godinë me kushte bashkëkohore që do të lehtësojë punën e personelit mjekësor dhe do të rrisë cilësinë e shërbimit për komunitetin e kësaj zone. Investimi është parashikuar të përfundojë në muajin Prill.

“Në kuadër të rikonstruksionit të 300 qendrave shëndetësore, sot ndodhemi në Lazarat, ku nisën punimet për rikonstruksionin e plotë të  kësaj qendre. Është përzgjedhur kjo edhe sepse ky fshat është pjesë e paketës së 100 fshatrave turistikë. Do ndërhyet në gjithë infrastrukturën e saj, elektrike, hidraulike, dhe gjithë sistemimin e ambienteve të jashtme e të brendshme duke ruajtur mirëfunksionalitetin e saj. Natyrisht që është parashikuar edhe mobilimi i saj me pajisje bashkëkohore. Të gjitha këto do të ofrojnë lehtësi për punën e personelit mjekësor, por sigurisht edhe kushte më të mira shërbimi banorëve të këtij fshati. Punimet janë parashikuar të mbyllen për dy muaj, brenda prillit. Aktualisht personeli shëndetësor është zhvendosur pranë ambienteve të njësisë administrative.”- thotë Shpëtim Novi, drejtor i Njësisë së Kujdesit Shëndetësor Gjirokastër.

Gjirokastra është një nga përfitueset më të mëdhaja, nga plani i qeverisë për rehabilitimin e qendrave shëndetësore, ku janë përfshirë 12 të tilla.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme