Kol rrëfen Murinjon: Mikelin e thërriste elefant, Karvajon kosh

Angli | 3 vite më parë

Bashkëpunimi me Zhoze Murinjon e kohëve të arta nuk ka qenë aspak i lehtë për ata, të cilët konsideroheshin si beniaminët e trajnerit. Për “The Obi One Podcast”, Xho Kol tregon disa prapaskena në lidhje me “orakullin” nga Setubali.

“E dashuroj Zhozenë edhe pse shumë mendojnë se s’kemi shkuar mirë bashkë. Mbaj mend një takim ku po fitonim 3-0, isha i bindur se kisha bërë mirë pasi isha autor i dy golave. Në një aksion isha përballë portierit dhe preferova të pasoja për Krespon, i cili u parapri nga mbrojtësi. Të nesërmen Murinjo mu afrua në stërvitje dhe më tha: ’Djalosh nëse e bën përsëri atë gjë, me mua nuk luan më”, tregon Xho Kol.

Mes të tjerash sulmuesi zbuloi se jeta nuk ishte e lehtë edhe për të besuarit e portugezit. “Zhoze adhuronte Obi Mikelin, por kjo nuk e pengonte që ta ‘masakronte’ me kritika. Në një miqësore kundër Reinxhërs i tërhoqi disa herë vëmendjen dhe në fund nuk duroi duke i thirur: ‘Je i ngathët si një elefant, çfarë po bën kështu’”, tregon Kol.

Në fund ai tregon edhe një tjetër episod lidhur me marrëdhënien e drejtë që kishte Murinjo me një tjetër prej lojtarëve të tij të preferuar. “Rikardo Karvajo ishte mes lojtarëve më të preferuar nga Zhoze, por mbaj mend në një ndeshje që i tha: ‘Rikardo po luan si kosh plehrash. Nuk do të të aktivizoj, përpara teje janë Terri dhe Gallas. Përpara teje është edhe Robert Huth madje edhe djaloshi i moshave Stiv Uot”, rrëfen Xho Koli.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme