Polonia, trajneri Michniewicz: Nuk i kemi bagazhet gati

“Ne nuk kemi frikë nga Franca, respektojmë kundërshtarët tanë, respektojmë klasin e tyre, por nuk na interesojnë të tjerët”. Kështu është shprehur trajneri i Polonisë, Czeslaw Michniewicz gjatë konferencës për shtyp në prag të ndeshjes kundër Francës së vlefshme për turin e dytë të Kupës së Botës. Kur u pyet për qëndrimin tepër mbrojtës të Polonisë së tij, trajneri u përgjigj: “Ata që nuk kanë luajtur në mbrojtje kanë shkuar në shtëpi për të parë TV. Tani kemi kaluar fazën e grupeve, kështu që do të ndryshojmë planet tona”.
“Të gjitha skuadrat janë të vetëdijshme se nuk mund t’i lini kundërshtarët të shënojnë lehtësisht. Ne ishim të zotë në mbrojtje dhe si shpërblim do të luajmë kundër Francës”, shtoi ai. Michniewicz më pas tha se Polonia do të jetë “kampionia e ardhshme e botës” nëse fiton kundër Francës. Trajneri polak tha më pas se kishte analizuar thellë dy fitoret e para të Les Bleus kundër Australisë dhe Danimarkës dhe nuk kishte gjetur asnjë dobësi.
Në të njëjtën kohë Michniewicz tha se ekipi i tij nuk do të hyjë në fushë me mentalitetin e atyre që tashmë e dinë se do të shkojnë në shtëpi më vonë. “Bagazhet tona nuk janë gati, nuk ishim gati të ktheheshim në shtëpi para ndeshjes kundër Argjentinës dhe nuk jemi gati të kthehemi në shtëpi tani”, tha ai. “Ne e dimë se është një sfidë e madhe. Mbappe dhe Griezmann janë në formë të shkëlqyer. Ne kemi forcat tona, mund të luajmë futboll. Kemi lojtarë të mëdhenj dhe do e shohim në fushë”, përfundoi ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



