Çmimi i Madh i Hungarisë, risi dhe beteja

Formula 1 | 3 vite më parë

Kampionati Botëror i Formulës 1, që po vjen për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, po u drejtohet dy garave të fundit para pushimeve verore. Dhe stacioni i radhës është pista e Hungaroringut. Natyrisht, lajmi i madh është rikthimit i Daniel Riçardos, teksa paraqitja e dobët e Nik de Vrijsit e shtyu “Red Bull”-in ta zëvendësojë atë me Daniel Riçiardon në skuadrën satelite të “AlfaTauri”-t, duke e rreshtuar përkrah Juki Tsunodës. Ndërkaq, duke mbetur tek “Red Bull”-i, skuadra austriake është në prag të thyerjes së një rekordi që ka mbijetuar për plot 35 vjet në Formula 1.

Fitorja e Maks Verstapenit në Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe e ngjiti “Red Bull”-in në kuotën e 11 fitoreve radhazi, duke barazuar rekordin e “MekLaren”-it në vitin 1988. Dhe, duke gjykuar mbi ecurinë e deritanishme të sezonit, “Red Bull”-i mund të vendosë një rekord të ri në Hungaroring, duke regjistruar fitoren e 12-të radhazi. Midis tyre, Verstapeni dhe Serxhio Perezi i kanë dhuruar “Red Bull”-it 20 fitore në 21 garat e fundit dhe shpresojnë që ta mbyllin në mbizotërim të plotë dy garat e fundit të gjysmës së parë të sezonit, duke ngadhënjyer në dy fundjavat në vijim.

 Megjithatë, “MekLaren”-i ka dalë në garat e fundit në pah si faktori “X”, me tifozët që shpresojnë madje se mund ta tronditë “Red Bull”-in në marshimin e saj drejt titullit. Lando Norris mori vendin e 4-t në Austri, kurse në Silverstoun, ai mori vendin e dytë, i ndjekur nga Oskar Piastri, që u detyrua me vendin e 4-t, edhe pse mund të kishte qenë në podium. Ndërkohë, është hapur edhe beteja për vendin e dytë, teksa, përtej shkëputjes së “Red Bull”-it, “Aston Martin”-i, “Mercedes”- dhe “Ferrari” janë përfshirë në një betejë të ethshme.

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme