Abdo “Dado” El Feghali, spektakël në Tiranë

Sporte të tjera | 4 vite më parë

Abdo “Dado” El Feghali ishte piloti i cili i dha ngjyrat e spektaklit sheshit “Nënë Tereza”. Gjithçka ka ndodhur nga kompania e pijeve energjike “Red Bull”,  teksa piloti libanez është lojtar kryesor në skenën e kësaj kompanie dhe në kampionatin kombëtar të motorsporteve. El Feghali ishte për vitin e dytë radhazi në Shqipëri, ndërsa më parë bëri dhe një uorkshop me pilotët shqiptarë. Përpara se të bënte performancën e tij, El Feghali ka folur dhe për mikrofonin e RTSH.

“Jam mjaft i kënaqur që jam në Shqipëri. Është hera e dytë që vij këtu. Tifozët këtu janë mjaft të lidhur me automobilizmin dhe kjo më pëlqen. Shqipëria ka potencial për të arritur shumë në këtë disiplinë, si në rrugët urbane, si në sheshin këtu, por edhe në driftin në vende malore. Madje jemi duke punuar që shpejt të kemi dhe kampionin e parë të Shqipërisë”.

Shou në sheshin “Nënë Tereza” zgjati për tre orë me një pjesëmarrje të gjerë të të apasionuarve pas makinave dhe Drift-it. Madje qëllimi kryesor është realizimi vitin e ardhshëm e kompeticionit “Red Bull Park Drift”.  Por El Feghali ka treguar se si është përfshirë në motorsport.

“Në familjen time të gjithë merren me motorsport, kjo që nga babai. I përfshirë kam qenë edhe unë, ndërsa që nga 1999 merrem me drift. Sigurisht që është një eksperiencë e jashtëzakonshme, atje ku mund të përfshihen edhe shqiptarët”.

El Feghali ka patur dhe një mesazh për të gjithë pilotët shqiptarë, ata që duan të merren me këtë sport.

“Të rinjtë shqiptarë duhet të punojë për të arritur sukses në një disiplinë që vitet e fundit po aplikohet në shumë shtete dhe ky fakt më gëzon. Shpresoj që ky sport të kthehet në një traditë për Shqiperinë, pasi edhe mbështetja nuk mungon”.

Në këtë performancë, atje ku ka qenë i pranishëm Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, apo dhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, janë shfaqur dhe pilotët shqiptarë. Dhe pasditja e së dielës ishte një tjetër emocion për kryeqytetin. E kjo falë “Red Bull”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme