Shqipëria mirëpret sportistët ukrainas

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Shqipëria është vendi i radhës për mikpritjen e sportistëve ukrainas, të cilët lënë atdheun e tyre për shkak të luftës në Rusi për të gjetur paqen në vendin e shqiponjave. Tetë atletë dhe dy trajnerë kanë zbritur të mërkurën në mesditë në Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, ndërsa janë pritur nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Ferdinand Canaj dhe ambasadori i Ukrainës në Tiranës, Volodimir Shkurov. Që nga momenti i zbritjes nga avioni, teksa vinin nga Varshava, e deri në shoqërimin e tyre në brendësi të Aeroportit e më pas drejt Elbasanit, ukrainasit janë pritur në mënyrë ceremoniale. Sigurisht trauma e tyre është e rëndë për shkak të asaj që janë duke kaluar.

I kënaqur për ardhjen e bashkatdhetarëve të tij është dhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodimir Shkurov:  “E para mirëserdhet në Shqipëri dhe qëndrim të mbarë në këtë vend të paqtë. E dyta, edhe në emrin tuaj, më duhet të falënderoj qeverinë shqiptare, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Federatën Shqiptare të Atletikës që u treguan të gatshëm për t’iu pritur e strehuar. Jam i bindur se gjithçka në qëndrimin tuaj në Shqipëri do të shkojë mirë, ndaj dhe një herë Faleminderit shqiptarëve”.

Nuk ka munguar interesi i medieve shqiptarë për të intevistuar sportistët ukrainas. E kamera e RTSH Sport është ndalur fillimisht tek Maria Larina e më pas dhe tek Valentin Loboda.

Maria Larina: “Së pari, edhe në emrin e sportistëve ukrainas, gjej rastin t’ju falënderoj për mikpritjen. Sigurisht që situata është e rëndë në Ukrainë dhe jam shqetësuar edhe për familjen time, veçanërisht mamanë time. Unë shpresoj që kjo gjendje të zgjidhet sa më shpejt. Jam për herë të parë në Shqipëri dhe bindem që të paktën do të kemi kushtet e duhura për t’u stërvitur, atje ku na presin një mori aktivitetesh ndërkombëtare në të cilat ne kërkojmë rezultatet e duhura”

Valentin Loboda: “Unë vij nga Donietsku, nga një fshat i zonës atje. Për fat pranë fshatit tonë nuk ka patur luftime, por familja ime rrezikohet nga hedhja e raketave. Jam i shqetësuar për njerëzit, por Federata e Atletikës së Ukrainës vendosi që të vinim këtu. Shpresoj që me stërvitjen në Shqipëri të përmirësoj rezultatin tim”.

Cilët janë tetë atletët ukrainas e dy trajnerët e tyre, që do të qëndrojnë në Elbasan? Roman Kulik (Kërcim së larti), Ilia Bielus (Kërcim së gjati), Oleksandër Tytarenko (Hedhje disku), Valentin Loboda (Kërcim me shkop). Hana Tkashova (Hedhje çekiçi), Julia Tokarieva (Hedhje çekiçi), Maria Strielets (Hedhje gjyle/Hedhje disku), Maria Larina (Hedhje gjyle/Hedhje disku). Kurse trajnerë Viktor Androsovish dhe Pavlo Zadorozhni (Trajner). Eksperienca e tyre do të mund t’i shërbejë dhe rritjes së nivelit të atletikës shqiptare.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme