Vdekja në Rrogozhinë, jehonë mbarëbotërore

Sporte të tjera | 3 vite më parë

Ngarja e dhimbshme e ndodhur të shtunën pasdreke, kur futbollisti i Egnatias, Rafael Duamena, ka humbur ndjenjat në minutën e 24-t, duke humbur edhe jetë rrugës për në spitalin e Kavajës, ka bërë menjëherë xhiron e medieve botërore. Kështu, rrjeti prestigjioz CNN i referohet njoftimit të Federatës Ganeze të Futbollit, e cila i shprehte ngushëllimin familjes së futbollistit, të ci cili e kishte veshur për 8 ndeshje fanellën e përfaqësueses.

Në fund të shkrimit për ngjarjen, CNN citonte edhe episodin e tetorit të 2021-shit, kur futbollisti kishte humbur ndjenjat gjatë një ndeshjeje të Kupës së Austrisë. Po kështu, e përditshmja e njohur sportive italiane “La Gazzetta Dello Sport”, në shkrimin e saj për ngjarjen në fjalë, duke bërë një përshkrim të episodit fatal të së shtunës, veçonte faktin se futbollisti ganez i kishte shënuar gol Interit në miqësoren e gushtit me Egnatian. Golit të tij ndaj gjigantëve zikaltër të Milanos i bën jehonë edhe rrjeti sportiv Sky Sport Italia, në shkrimin kushtuar ngjarjes në fjalë, duke i mëshuar faktit se kjo ishte hera e 3-të që futbollistit ganez i ndodhte një ngjarje e tillë.

Edhe dy të përditshmes e njohur sportive spanjolle, “Marca” dhe “AS” i kanë bërë jehonë ngjarjes në fjalë, duke bashkangjitur edhe videon e ngjarjes në Stadiumin “Egnatia”, teksa i referoheshin faktit se futbollisti ka luajtur më parë në Spanjë edhe për Levanten dhe Saragozën. “Një lajm i tmerrshëm të vjen nga Shqipëria e nis “Marca” shkrimin e saj, duke iu referuar edhe një ngjarjeje të ngjashme kur ganezi luante me Saragozën. Mesazhe ngushëllimi kanë ardhur ndërkohë edhe nga Presidenti i federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, por edhe trajneri i Kombëtares kuqezi, Silvinjo.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme