Vora, fund së dytës me triumf

Futboll Vendi | 4 vite më parë

Vora është fituese zyrtare e grupit A të Kategorisë së Dytë, teksa sezonin e ardhshëm do të luajë në të Parën. Në ndeshjen e fundit, që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, Vora ka mundur 2-0 Murlanin.

Në fakt ishte një ndeshje në të cilën nuk kishte rëndësi rezultati, por që u luajt sikur të ishte takimi që vendoste gjithçka. Murlani ka qenë i rrezikshëm në kundërsulm, ndërsa në të 32’, Kacubela ka goditur traun e portës së Vorës. Një minutë më vonë Vora gjen qetësinë me golin e Fatmir Prengës. Fundi i pjesës së parë shënon një goditje shtylle nga Vora, kjo me anë të Rraboshtës, i cili nuk ka gjetur dot golin e dytë.

Pjesa e dytë nis me njëmbëdhjetëmetërsh për Vorën, kjo pas pengimit të Rraboshtës. Por Jata, që iu dha mundësia për të qenë shënues, e dërgon topin jashtë. Dhjetë minuta më vonë situatat rrokullisen dhe penallti për Murlanin. Djepaxhia ndalet nga Jata. E vjen një penallti e tretë e akorduar nga Enis Dishani, i cili ka parë një tjetër pengim të Rraboshtës nga mbrojtja e Murlani. Përsëri Jata, që këtë herë shënon në të majtë të Tafës. Në vërshëllimën e fundit të Dishanit, 2-0 për Vorën, kurse në stadium nisi festa. Kupën kapitenit të Vorës, Isli Hidit, ia ka dorëzuar legjenda e futbollit dinamovit dhe atij kombëtar, Sulejman Demollari.

Në ndeshjet e tjera të grupit A, Naftëtari ka fituar 2-0 me Shënkollin; Iliria, 10-4 me Bulqizën; Gramshi, 4-1 me Adën dhe Valbona, 4-0 me Sopotin. Në Play-off për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, Veleçiku – Naftëtari dhe Valbona – Sopoti, kurse Bulqiza e Ada bien në Kategorinë e Tretë. Kështu grupi A mbyll sezonin, ndërsa e enjtja është për grupin B dhe më 11 maj finalja për titull kampion mes Vorës e Elbasanit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme