AF Elbasani prezanton Nevil Deden

Futboll Vendi | 3 vite më parë

Nevil Dede është trajneri i ri i AF Elbasanit, ndërsa prezantimi i tij është bërë të mërkurën në mesditë në ambientet e stadiumit të qytetit. Ish-kapiteni i skuadrës kampione të sezonit 2005-2006 ka nostalgji për Elbasanin dhe kërkon ta rikthejë atje ku duhet.

“Kam një nostalgji të madhe për këtë qytet dhe për njerëzit që jetojnë këtu. Pse e them këtë. Shumë vitë më përpara, pikërisht më 2004-ën kam ardhur kam luajtur për herë të parë në Elbasan. Prandaj e preka dhe fjalën nostalgji, sepse më kanë dhënë shumë dashuri e respekt në ato vite që kam luajtur këtu dhe u mundova që t’ia përktheja me maksimumin tim dhe mbi të gjitha me sukses. Besoj dhe jam i bindur se ia dola derisa dolëm kampion”, thotë trajneri i ri i verdhebluve.

Me premtimin e rikthimit të shpejtë në elitën e futbollit shqiptar, Dede është falënderues për të gjithë ata që e kanë mbështetur.

“Do ta kthejmë Elbasanin tonë atje ku ka qenë dhe aty ku meriton. Falënderimi është për të gjithë, por mbi të gjitha është për qytetin dhe tifozët”, shpjegon Nevil Dede.

Ndaj dhe në fund nuk harron të shprehë dashurinë e tij për ngjyrat verdheblu

“Jam i nderuar për këtë ofertë dhe për mundësinë, apo detyrën që unë kam marrë përsipër në bashkëpunimin që ne do të kemi. Jam falënderues për të gjithë dhe besoj se do të bëj mbi maksimumin. Unë jam rikthyer në shtëpinë time”, ka nënvizuar Nevil Dede.

Marenglen Çoku, administratori i AF Elbasanit, pas firmës së hedhur në kontratë me trajnerin Dede e ka falënderuar për misionin që ka marrë përsipër për ringritjen sa më shpejtë të skuadrës verdheblu.

“Falënderoj profesorin që pranoi të bëhej pjesë e projektit tonë. Do t’i uroj shumë sukese për atë objektiv që ne kemi dhe pjesa më e madhe e dinë se kush është”, ka përfunduar administratori Marenglen Çoku.    


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme