Dinamo rikthehet në kryesim

Dinamo të paktën për 24 orë do të jetë përsëri kryesuese e Kategorisë së Parë. Me nga një gol për çdo pjesë loje, blutë e Nevil Dedes kanë ditur të dalin fitues ndaj Besës, teksa kanë shfrytëzuar maksimalisht fushën asnjanëse të Peqinit. Ndeshja, që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, është dominuar nga blutë. Por edhe pse ka ndodhur kështu, goli ka dalë në dritë me vështirësi dhe me shumë vonesë për blutë, që në fakt ka ardhur nga pika e bardhë e penalltisë.
Kështu në të 43’, Denison ka kthyer në gol njëmbëdhjetëmetërshin e dhënë për Dinamon. Në të 57’ ka ardhur dhe goli i dytë për blutë, që mban firmën e Taulant Markut. E gjithë pjesa tjetër e takimit ishte administrim i këtij avantazhi dhe kështu vjen trepikëshi i radhës për blutë, që është i gjashti në këtë kampionat.
Ndërkohë në ndeshjet e tjera të Kategorisë së Parë bie në sy fitorja në transfertë e Tërbunit, 1-0 ndaj Lushnjës. Po kështu ka bërë dhe Tomori në Fier ndaj Apolonisë, kurse Turbina ka mundur Orikun, 2-1. Flamurtari luan të dielën ndaj Burrelit, ndërsa të hënën Korabi pret Skënderbeun dhe Luzi 2008, Besëlidhjen e më pas kampionati ndërpritet për shkak të Botërorit të Katarit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




