Flamurtari, “tërmet 5-ballësh” Dinamos

Futboll Vendi | 4 vite më parë

Me takimin midis Dinamos dhe Flamurtarit, që është luajtur të shtunën pasdite në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, ka ulur siparin java e 7-të e Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Përkundër faktit që blutë kryeqytetas erdhën si kryesues të shkëputur pas 6 javësh, ku kishin korrur 4 fitore dhe kishin marrë edhe dy barazime, pa e njohur humbje, në kuotën e 14 pikëve, 3 më tepër sesa Flamurtari, kanë qenë vlonjatët që kanë qenë më të rrezikshëm në aksionet e tyre dhe fillimisht Pjeshka e më pas Liçaj shpërdorojnë raste për shënim, ndërsa brenda 20 minutave të para ka edhe një pretendim për 11-metërsh, të hedhur poshtë nga gjyqtari kryesor.

Por këmbëngulja e skuadrës mike shpërblehet në minutën e 26-të, kur Pjeshka korrigjon shënjestrën, duke përshëndetur rrjetën dhe duke e kaluar Flamurtarin në epërsi. Vetëm 4 minuta më pas, kjo epërsi e vlonjatëve do të dyfishohet, pasi Xhonatan do të finalizojë me sukses një aksion të skuadrës së tij. Megjithatë, Dinamo do të reagojë dhe, përtej mbetjes me 10 lojtarë në minutën e 35-të, pas daljes me karton të kuq të Fetajt, 5 minuta para fundit të kohës së rregullt, do të fitojë një 11-metërsh, që do të shndërrohet në gol nga Denison, i cili do të tregohet i saktë nga pika e bardhë.

Por në minutën e parë shtesë, Xhonatan do të gjejë edhe golin e tij të dytë në këtë ndeshje, duke përshëndetur rrjetën dhe duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me rezultatin 3-1 në favor të Flamurtarit. Ajo e dyta do të shohë Dinamon të pafuqishme për të rrezikuar dhe për të gjetur golin që do të rihapte lojën, përballë Flamurtarit që administron dhe madje ka mundësi të thellojë epërsinë nëpërmjet kundërsulmit dhe, në 6 minutat shtesë, kanë  gjetur edhe një gol të 4-t, por edhe një të 5-të, me anë të të njëjtit autor, brazilianit Jakovelli. Flamurtari mund kështu Dinamon 5-1 dhe të dyja skuadrat ndajnë kreun e renditjes, me nga 15 pikë pas 7 javësh.

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme