Tirana dhe Teuta janë gjysëmfinalistet e para

Kupa e Shqipërisë | 4 vite më parë

Takimet e kthimit të Kupës të Shqipërisë nuk kanë dhuruar surpriza pasi skuadrat, të cilat kishin arritur fitore në duelet e para, mundën që të merrnin biletën për në gjysëmfinalet e kompeticionit.

Bardheblutë arrijnë të kualifikohen për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë edhe pse barazuan takimin e dytë 2-2. Sfida e parë në Kamëz kishte përfunduar 1-4 për Tiranën dhe me rezultat të përgjithshëm 6-3 kualifikohen për më tej. Pjesa e parë foli për ekipin e Shehi që kishte bërë disa zëvëndësime në formacion. Bardheblutë shënuan dy gola të shpejtë me Hasanin dhe Najdovski. Arapi për Kastriotin doli me të kuqe dhe kjo e bëri më të lehtë për Tiranën. Por në pjesën e dytë ekipi i Shehit e uli ritmin dhe kjo i dha mundësinë krutanve të ishin kërcënues. Pas një krosim në zonë dhe një rrëmuje Iseni dërgoi topin në portën e tij duke shënuar autogol dhe rezultati u ngushtua 2-1. Në të 82-tën Kastrioti fitoi një penallti dhe Ajazi dërgoi topin në rrjetë duke barazuar 2-2. Kështu krejt takim mbyllet në barazim me bardheblutë të kualifikuar.

Fitorja 2-0 në ndeshjen e parë ia bënte më të thjeshtë durrsakëve rrugëtimin dhe ata siguruan një avantazh të rëndësishëm për të menaxhuar kur gjetën golin e avantazhit me Grudën në pjesën e parë të ndeshjes. Por në fillimin e fraksionit të dytë të lojës, Kukësi barazoi dhe tentoi të rihapte duelin, edhe pse mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Taipit. Vendasit kaluan në avantazh me penalltinë e Taipit në minuta e fundit, por nuk ia dolën të gjenin golin që do të barazvlerësonte kualifikimin. Ndaj me vërshëllimën përfundimtare nisi festa e durrsakëve, të cilët bënë një hap të rëndësishëm për të siguruar pjesëmarrjen në Europë në sezonin e ardhshëm nëpërmjet këtij turneu.

Nesër do të luhen dhe dy takimet e tjera, të cilat do të plotësojnë çiftet gjysëmfinaliste të kompeticionit. Kështu fituesja mes Partizanit dhe Vllaznisë do të ndeshet me Tiranën ndërsa e kualifikuara e çiftit Laçi-Egnatia sfidon Teutën për një vend në finalen e madhe.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme