Egnatia-Laçi, “replay” në Kupë

Egnatia – Laçi, ekzaktësisht si një vit më parë, ndeshje kupe për raundin çerekfinal dhe një barazpeshë totale qe mori zgjidhje vetëm nga lotaria e 11-metërshave. Ironi e fatit ose jo, por dy skuadrat do të ndeshen sërish në një ndeshje kupe të vlefshme për raundin çerekfinal ku parashikohet sërish një sfidë e dyfishtë shumë e luftuar. Diferencat në organika janë pothuajse zero ndërsa gjatë këtij sezoni në kampionat Egnatia ka arritur të bëjë mirë dhe fitorja e fundit në Ballsh e ka bërë një nga skuadrat kryesore në garën për një vend në Europë.
Përsa i përket sezonit të kaluar në kupë, ishte Julian Shehu autor i golit të parë dhe Magani barazoi pak minuta më vonë ndërsa në Kurbin 120 minutat u mbyllën me rrjeta të paprekura e më pas Laçi triumfoi 3-2. Bazuar në statistikat e këtij sezoni, Egnatia është superdominuese ndaj bardhezinjve. 3 fitore në po kaq ndeshje, e fundit në 11 shkurt në Kurbin e mbyllur 0-1 ndërsa në dy të tjerat bardhjeshilët kanë fituar pa pësuar asnjë gol.
Deri në këtë pikë të sezonit, Egnatia ka arritur ti shkëpusë 9 pikë vetëm nga Laçi, pothuajse1/4 e pikëve të grumbulluara deri në këtë moment ndërsa nuk e ka nxjerrë asnjëherë topin nga rrjeta përballë kurbinasve. Statistika perfekte për skuadrën e Edlir Tetovës që përballë do të ketë Laçin e uritur për suksese pas tri sfidave rresht pa fitore.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




