Markez “tremb” konkurrentët

Dalja e parë e Marc Marquez me Ducatin në testin e Valencias ishte interesimi kryesor i ditës. Të gjithëve u bëri përshtypje ajo çfarë dha kampioni spanjoll në pistë, i cili gjatë ditës fitoi gjithnjë e më shumë besim duke e lënë orën të fliste më mirë. Në fillim dha kohën 1’30″222 për ta mbyllur me rezultatin më të mirë, 1’29”424. Dita e parë e testimit në MotoGP përpara fillimit të sezonit të ri, ka shumë rëndësi. Dhe sigurisht që debutimi historik i Marc Marquez me Ducatin, atë të skuadrës Gresini ishte në qendër të vëmendjes.
Tetë herë kampioni botëror Marquez bëri një performancë të mirë duke i trembur dhe habitur njëkohësisht pilotët e tjerë. Ata u habitën se si piloti spanjoll hynte me shpejtësi skëterre në kthesë, pa frenuar fare. Me kthimin në boks, dhe pasi dorëzoi motorin e tij, mark u tregoi inxhinierëve përshtypjen e tij të parë për Desmosedici, duke treguar se ai është një motor shumë më pak kompleks se Honda që ai drejtoi në Kampionatin Botëror që sapo përfundoi.
Tepër i kënaqur për motorin e ri, Marquez u shpreh: “Motori më përshtatet por dua të kuptoj nëse do të jem ende konkurrues.” Kurioziteti për të parë Markezin në konkurrimin me skuadrën italiane është i tillë që shumë kanë folur për mundësitë që ka ai për të fituar kampionatin botëror të pilotëve në 2024. Pas katër vitesh të kushtëzuar nga dëmtimet e rënda, tani, në moshën 30-vjeçare, Marquez ka mundësinë të gjejë përsëri veten te Gresini.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




