Bellingam, drejt Realit të Madridit

Reali i Madridit ka arritur një marrëveshje me Borusian e Dortmundit, për blerjen e Xhjud Bellingamit për një shumë të përgjithshme që kapërcen 100 milionë Euro. Sipas mediave ndërkombëtare, 19-vjeçari pritet t’u nënshtrohet testeve mjekësore në ditët në vijim. Ky lajm u konfirmua të mërkurën pasdite edhe nga vetë klubi i Dortmundit, ndonëse në një mënyrë pak të paqartë. Në një deklaratë për shtyp, klubi gjerman sqaroi se një çmim prej 103 milionë Eurosh ishte rënë dakord me Realin e Madridit, me mundësinë e 30 milionë eurove të tjera në pagesa shtesë.
Por Borusia ka konfirmuar se nuk ka zyrtarisht një marrëveshje, pasi vetëm futbollisti nuk e kishte nënshkruar ende kontratën. Mançester Siti dhe Liverpuli ishin përfolur më herët në lidhje me interesimin për futbollistin e përfaqësueses së Anglisë. Bellingami erdhi nga Birmingami tek Dortmundi në 2020-ën dhe është shndërruar në një nga mesfushorët më të kërkuar të Evropës.
Ai ka shkëlqyer me gjermanët në Ligën e Kampioneve dhe ishte një lojtar kyç, edhe pse Borusia e Dortmundit e humbi titullin në mënyrë të pabesueshme në minutat e fundit të sezonit që sapo u mbyll në Bundesligë. Bellingam debutoi për Anglinë pas kalimit te Dortmundi dhe ishte titullar në përfaqësuesen e “3 Luanëve” të trajnerit Gareth Sauthgejt në Botërorin e 2022-shit.
Tek Reali i Madridit ai do t’i bashkohet një mesfushe që ka në përbërje Luka Modriçin, Federiko Valverden, Toni Krosin dhe Oreliën Tshuamenin. Kujtojmë se 19-vjeçari është nën kontratë deri më 2025-ën tek Dortmundi. Xhjudë Bellingami ka luajtur më shumë minuta, 2,691, se çdo lojtar tjetër i Dortmundit në këtë sezon të Bundesligës, duke realizuar edhe 14 gola në të gjitha veprimtaritë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




