Barcelona, pranë shkarkimit të trajnerit Kuman

Mediat katalane raportojnë se Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është “99 % i sigurt” se do ta shkarkojë trajnerin Ronald Kuman. Holandezi ka qenë në krye të stolit gjatë një periudhe të turbullt në “Nou Kamp” dhe tanimë ai është shumë pranë shkarkimit, pasi nuk arriti ta udhëheqë skuadrën drejt titullit “kampion” në Spanjë.
Barcelona erdhi në ndeshjen e së dielës me Celta Vigon duke shpresuar të rriste shanset për titull, por nuk ndodhi kështu, pasi gjigandja katalane pësoi një humbje zhgënjyese, 1-2, duke i dhënë lamtumirën betejës për trofe. Në fakt, kjo humbje kurorëzoi një vazhdë edhe më zhgënjyese prej vetëm 5 pikësh të marra në 5 ndeshjet e fundit.
Dhe radioja e njohur katalane, “RAC1”, raporton se Laporta do t’i japë fund drejtimit të skuadrës nga Kumani, edhe pse, deri më tani, kishte hezituar të ndërhynte në dhomat e zhveshjeve të “Nou Kamp”-it. Por duket se Laportës i është sosur durimi dhe ai ka vendosur ta shkarkojë ish-trajnerin e Evertonit dhe Sauthemptonit, edhe pse për momentin nuk ka ende një kandidaturë të denjë për kalibrin e Barcelonës.
Mediat raportojnë se Ksavi pritet të jetë pasardhësi i holandezit në stolin e Barcelonës, me ish-lojtarin e katalanëve dhe të përfaqësueses spanjolle në bisedime me klubin për një rikthim emocionues, tanimë si trajner.
Madje shpresohet që rikthimi i Ksavit, që ka fituar 8 tituj “kampion” dhe 4 kurora të kampionit të Evropës me Barcelonën, të ndikojë edhe në qëndrimin e Lionel Mesit, të cilit i përfundon kontrata pas pak javësh dhe flitet për një interesim mjaft të leverdisshëm financiar nga Mançester Siti dhe Paris SG-ja.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




