Real Madrid me hap kryesuesi, mund Bilbaon

Spanjë | 6 vite më parë

Real Madrid nuk e ka patur aspak të lehtë përballë Bilbaos, por në fund është shpërblyer me një fitore 3-1, që e mban në “luftë” të hapur me Atletico e Sociedad, në kuotë të njëjtë pikësh(26), duke ndarë kreun.

Në Estadio Alfredo Di Stéfano, të besuarit e Zidane u përballën me një Bilbao të fortë, të vendosur mirë në fushën e lojës, pavarësisht se humbën Garcia që në minutën e 13-të(dy kartona të verdhë). Gjithsesi, blancos arritën të gjejnë golin në fundin e pjesës së parë me Kroos, i cili realizoi me një goditje nga jashtë zone.

U duk se gjithçka do të ishte e lehtë për madrilenët, por Bilbao arriti të surprizojë në minutën e 52-të, duke shënuar në portën e mbrojtur nga Courtois. E pabesueshme! Nuk ishte e bukur por Capa me këmbënguljen e tij arriti të shpërblejë skuadrën për kurajon e treguar në fillimin e pjesës së dytë.

Madrilenët, që nuk mund të pajtoheshin me një rezultat të tillë, arritën të gjejnë golin e avantazhit në minutën e 74-ët me anë të Benzema. Një krosim nga e djathta e Carvajal është shfrytëzuar nga sulmuesi francez, që ka goditur saktësisht me kokë, 2-1. Benzema ka arritur të shënojë dhe golin e dytë personal në fundin e takimit, duke kompletuar fitoren 3-1.

Me këtë fitore, Real Madridi është ngjitur në kuotën e 26 pikëve, duke u vendosur në vendin e tretë. Po 26 kanë dhe Sociedad i vendit të parë dhe Atletico(dy ndeshje më pak) e vendit të dytë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme