Real Madrid bind në derbi, mund Atletico-n

Real Madrid ka përfunduar një javë mbresëlënëse duke mundur kryesuesen e La Liga, Atletico Madrid, 2-0, duke mbështetur kështu fitoret ndaj Borussia Monchengladbach dhe Sevilla.
Humbja ndaj Shakhtar Donetsk më 1 dhjetor detyroi Zinedine Zidane të luftojë për pozicionin e tij pas një loje të dobët në formë, por tri ndeshjet e fundit kanë bërë që kampionët spanjollë të realizojnë një kthesë mahnitëse, duke lehtësuar presionin ndaj francezit.
Casemiro i dha epërsinë skuadrës së Zidane pas 15 minutash lojë, duke përfituar pas një topi të ardhur nga këndi. Diego Simeone bëri disa ndryshime në pjesën e dytë, por ishin përsëri lojtarët e Realit që shënuan. Një goditje e fuqishme e Carvajal, pasi ka goditur shtyllën është përplasur dhe në trupin e portierit Oblak për të përfunduar në rrjetë, 2-0.
Kjo është humbja e parë për Atletico Madrid në këtë edicion të La Liga, ndërsa Real Madrid ngushron diferencën me vendin e parë. Një mbrëmje e veçantë për Sergio Ramos, që krahas fitores bëhet lojtari që ka luajtur më shumë ndeshje derbi, plotë 43 të tilla.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




